Apelohen qytetarët në Ferizaj: Shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr
Pasi periudha e verës karakterizohet me temperatura të larta, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve në sipërfaqe të hapura, Komuna e Ferizajt apelon qytetarët që të kenë kujdes duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të Komunës së Ferizajt, thuhet se në rast të ndonjë zjarri qytetarët mund të lajmërojnë rastet emergjente në numrin 193 (telefon fiks ose celular).
“Kemi hyrë në sezonin e verës, periudhë gjatë së cilës fillon edhe fushata e korrje-shirjeve. Kjo periudhë pritet të karakterizohet me temperatura të larta, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve në sipërfaqe të hapura, pyjore dhe fushore, me qëllim të parandalimit të zjarreve dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se në rast se zjarrvëniet janë të qëllimshme "do të trajtohen si vepër penale".
"Po ashtu, edhe zjarret e shkaktuara nga pakujdesia përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/


