Please enter at least 3 characters.

Anulohet koncerti i Valery Gergiev në Itali, mikut të ngushtë të Putinit

Organizatorët e festivalit muzikor italian ‘Un’Estate da RE’ kanë anuluar një koncert të dirigjentit rus Valery Gergiev, pas ditësh kritikash të forta nga kundërshtarët e Kremlinit dhe aktivistët për të drejtat e njeriut.

Gergiev, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, pritej të drejtonte një orkestër italiane dhe solistë nga Teatri Mariinsky i Shën Petersburgut në një performancë në Pallatin Mbretëror të Casertas, afër Napolit, më 27 korrik.

Ai ka qenë i ndaluar në shumë skena perëndimore që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Valery Gergiev

Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, tha pas anulimit se e sheh si një akt të “arsyeshëm” që mbron “vlerat e botës së lirë”.

Ndërkohë, Pallati Mbretëror nuk dha një arsye zyrtare për vendimin.

Ukraina kishte kërkuar më herët që koncerti të anulohej, duke e cilësuar Gergievin si “zëdhënës të Putinit”, që nuk duhet mirëpritur për sa kohë forcat ruse vazhdojnë të kryejnë mizori.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus Alexei Navalny, tha për vendimin se “asnjë artist që mbështet diktaturën aktuale në Rusi nuk duhet të mirëpritet në Evropë”.

Putin dhe Valery Gergiev

Por ambasadori rus në Itali e cilësoi vendimin si “skandaloz” dhe pjesë e një “politike të anulimit të kulturës ruse”.

Para luftës, Gergiev drejtonte shpesh në skena të mëdha si La Scala në Milano, Orkestra Filarmonike e Mynihut dhe Carnegie Hall në New York - por që nga viti 2022, të gjitha këto institucione kanë ndërprerë bashkëpunimin me të. /Telegrafi/