Anija e Marinës Meksikane godet urën e Bruklinit në Nju Jork, të paktën dy të vdekur dhe disa të tjerë të lënduar
Një anije e marinës meksikane është përplasur në urën e Bruklinit të Nju Jorkut, duke lënë të vdekur dy anëtarë të ekuipazhit dhe 17 të tjerë të lënduar.
Marina meksikane tha se Cuauhtemoc, një anije trajnimi e akademisë me 277 persona në bord, u dëmtua nga përplasja, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams bëri të ditur se dy persona kishin vdekur dhe 17 të tjerë u plagosën, duke përfshirë dy të cilët mbetën në gjendje kritike.
Dëshmitarët okularë i thanë Associated Press se panë dy persona të larguar nga anija me barela.
Askush nuk thuhet se ka rënë në ujë.
Nuk ishte e qartë se çfarë e shkaktoi që anija të devijonte nga kursi.
Shefi i Operacioneve Speciale të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, Wilson Aramboles tha se anija sapo kishte dalë nga një skelë në Manhatan dhe supozohej se ishte nisur drejt detit, jo drejt urës.
Ai shtoi se një raport fillestar sugjeroi se anija kishte humbur fuqinë për shkak të një problemi mekanik.
Ura, e cila është një kanal kryesor midis Manhattan dhe Brooklyn, është rihapur që atëherë pa asnjë dëmtim të madh.
Cuauhtemoc është rreth 90 metra e gjatë dhe 12 metra e gjerë, sipas marinës meksikane.
Ajo u ndërtua në Spanjë dhe lundroi për herë të parë në 1982.
Anija ishte planifikuar të vizitonte 22 porte në 15 vende, duke përfshirë Kingston në Xhamajka, Havana në Kubë, Cozumel në Meksikë dhe Nju Jork.
Ajo gjithashtu kishte planifikuar të lundronte në Reykjavik në Islandë, Bordeaux, Saint Malo dhe Dunkirk në Francë, Aberdeen në Skoci dhe vende të tjera për një total prej 254 ditësh, 170 prej tyre në det. /Telegrafi/


