Please enter at least 3 characters.

Anglia gati për shpërthim në Botëror: trajner elitar, golashënues historik dhe brez i ri talentësh

E vendosur si skuadra kryesore e Grupit K, Anglia zhvilloi një fushatë kualifikuese të jashtëzakonshme për të siguruar pjesëmarrjen e saj të 17-të në një Kupë Bote. Në një grup ku përballë kishte Shqipërinë, Andorrën, Letoninë dhe Serbinë, ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel dominoi plotësisht, duke fituar të tetë ndeshjet dhe duke e mbyllur grupin me maksimumin prej 24 pikësh.

Diferenca prej 10 pikësh ndaj Shqipërisë së vendit të dytë tregoi qartë superioritetin e anglezëve, por edhe më mbresëlënëse ishte statistika e golave: 22 të shënuar dhe asnjë i pësuar gjatë gjithë kualifikimeve.

Çfarë pritet nga Anglia?

Rezultatet e arritura në turnetë e fundit ndërkombëtarë, së bashku me nivelin e lartë të lojtarëve që aktivizohen në Ligwn Premier dhe kompeticionet evropiane, e bëjnë Anglinë një nga pretendentet kryesore për të fituar Kupën e Botës. Deri më tani, anglezët e kanë ngritur vetëm një herë trofeun më prestigjioz të futbollit, në vitin 1966.

Çerekfinalja e Botërorit 2022, ku u eliminuan nga Franca pas penalltisë së humbur të Harry Kane, si dhe vendi i katërt në Botërorin e vitit 2018 pas humbjes ndaj Kroacisë në gjysmëfinale, tregojnë vazhdimësinë e tyre në nivelet më të larta. Këtyre sukseseve u shtohen edhe dy finalet radhazi të Kampionatit Evropian, ku Anglia u mposht fillimisht nga Italia dhe më pas nga Spanja.

Skuadra aktuale konsiderohet ndër më të kompletuarat që ka pasur ndonjëherë kombëtarja angleze. Konkurrenca është aq e madhe sa emra të njohur si Trent Alexander-Arnold, Cole Palmer dhe Phil Foden kanë mbetur jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar.

Megjithatë, ekzistojnë disa pikëpyetje. Jude Bellingham ka kaluar një sezon jo të lehtë te Real Madridi, ndërsa mbrojtja mund të vuajë nga mungesa e eksperiencës nëse John Stones nuk arrin të jetë në formën e duhur për turneun.

Njeriu në krye

Thomas Tuchel mori drejtimin e Anglisë në fillim të vitit 2025, duke trashëguar një ekip të ndërtuar mbi bazat e forta të vendosura nga Gareth Southgate.

Edhe pse Southgate shpesh është kritikuar për stilin e lojës, ai do të mbahet mend për rezultatet e arritura dhe për krijimin e një prej skuadrave më të forta në historinë moderne të Anglisë.

Nga ana tjetër, Tuchel vjen me reputacionin e një trajneri fitues. Ai arriti dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve në vitet 2020 dhe 2021, duke triumfuar me Chelsean ndaj Manchester Cityt. Gjermani njihet për fleksibilitetin e tij taktik dhe aftësinë për të ndryshuar sistemin e lojës sipas nevojave të skuadrës.

Që nga koha kur pasoi Jurgen Klopp te Borussia Dortmundi, Tuchel ka treguar se mund të alternojë pa problem mes mbrojtjes me tre apo katër lojtarë, ndërsa në sulm përshtatet lehtësisht me karakteristikat e futbollistëve që ka në dispozicion.

Ylli kryesor

Kur flitet për Anglinë, emri që bie menjëherë në sy është Harry Kane. Sulmuesi i Bayern Munichut mbetet lideri dhe lojtari më i rëndësishëm i kombëtares.

I konsideruar si një nga sulmuesit më të kompletuar në futbollin botëror, Kane mund të ketë përpara një nga mundësitë e fundit për të shkruar historinë me fanellën e Anglisë. Në fund të korrikut ai mbush 33 vjeç, por vazhdon të jetë në kulmin e formës së tij.

Me 79 gola të shënuar për kombëtaren, rekord absolut për Anglinë, si dhe tetë gola në fazat finale të Kupës së Botës, Kane synon të udhëheqë vendin drejt trofeut që anglezët e presin prej plot 60 vitesh.

Lojtari për t’u ndjekur

Anglia ka një tjetër arsye për t’i qenë mirënjohëse Pep Guardiolës. Përveç revolucionit që ka sjellë në futbollin anglez, trajneri spanjoll ka ndihmuar në zhvillimin e një brezi të ri lojtarësh.

Shembulli më i fundit është Nico O’Reilly, produkt i akademisë së Manchester Cityt, i cili ka shpërthyer këtë sezon.

Edhe pse natyrshëm është mesfushor, 21-vjeçari është shndërruar në një mbrojtës të majtë modern, me aftësi të shkëlqyera teknike dhe prirje të forta ofanzive. Ai mund të nisë aksionet nga prapavija dhe t’i përfundojë ato në zonën kundërshtare, siç dëshmoi edhe me paraqitjet e tij mbresëlënëse gjatë sezonit.

Në një skuadër të mbushur me yje ofensivë, O’Reilly mund të jetë arma surprizë e Thomas Tuchel në përpjekjen e Anglisë për të arritur lavdinë botërore./Telegrafi/