Please enter at least 3 characters.

Angellov: Disa vatra zjarri aktive në malin Kitkë, pres që deri nesër situata të vendoset nën kontroll

2024/07/angellov.png
Angellov-DMSH

„Er Traktorët“ e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) po intervenojnë në shuarjen e zjarrit në malin Kitkë, ku janë aktive disa vatra.

Përveç nga ajri, në shuarjen e këtij zjarri po angazhohen edhe zjarrfikësit e Shkupit, si dhe ekipet e DMSH-së dhe të Ndërmarrjes Publike „Pyjet Kombëtare“. Në terren, siç thotë drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov, ka edhe automjete „Pinzgauer“, të cilat do të intervenojnë kur zjarri të dalë nga pylli i dendur dhe të arrijë në sipërfaqet me bar.

Angellov pret që gjatë ditës së sotme dhe nesër zjarri të vihet pjesërisht nën kontroll.

„Po bëjmë gjithçka që mundemi për ta vënë nën kontroll këtë zjarr të madh që është përhapur në një sipërfaqe të gjerë. Jam optimist se gjatë ditës së sotme dhe nesër do të vihet pjesërisht nën kontroll“, tha ai në një deklaratë me video gjatë pasdites.
Ai shton se gjatë ditës së sotme ka më shumë se 20 zjarre në hapësira të hapura, intensiteti i të cilave nuk po ulet.
„Ka shumë njerëz të papërgjegjshëm që pa qëllim shkaktojnë zjarre. Për fat edhe më të keq, ka njerëz keqdashës që, për përfitime personale ose motive hakmarrjeje, shkaktojnë qëllimisht zjarre, duke qenë të vetëdijshëm se me këtë mund të vrasin dikë“, tha Angellov.

Më herët, ai u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo sjellje të dyshimtë, veçanërisht banorëve që ndodhen në rrëzë të malit Kitkë, përkatësisht pas Draçevës, në territorin e Komunës së Studeniçanit.