Ambasadori Antonini: Prani në rritje e produkteve dhe e bizneseve italiane në Kosovë
Ambasada e Italisë dhe Agjencia Tregtare Italiane shënuan Ditën e Dizajnit Italian.
Kjo ditë u shënua në hapësirat e "Agim Company", saktësisht në sallën e ekspozitës së kësaj kompanie në Shkabaj të Prishtinës.
Drejtuesi i kësaj kompanie, Nderim Gashi tha se Italia e ka frymëzuar gjithmonë dhe para se t'i mbushte 18 vjeç vizitoi një vend në Bolonjë. Siç u shpreh ai, falë asaj vizite "krijoi ëndrrën e tij". Gashi tha se brenda dy muajsh do ta hapin sallonin e ri, ku do të sjellin shumë brende italiane.
"Ajo që dua të them është se për mua Italia ka qenë vendi ku jam frymëzuar dhe vendi ku kam krijuar ëndrrat e mia. Kur isha 18 vjeç, faktikisht pak para se të mbushja 18 vjeç – vizita ime e parë ishte në Cersaie, në Bolonjë të Italisë, që është panairi më i mirë italian në botë. Ky ishte vendi ku u frymëzova se çfarë është cilësia, çfarë është brendi dhe çfarë është produkti.
Pra, falë asaj vizite, unë i krijova ëndrrat e mia, punova shumë dhe u përpoqa fort për të sjellë të gjitha brendet, shërbimin dhe cilësinë italiane këtu në sallonin tonë. Sot, falë Zotit, brenda dy muajsh ne do të kemi sallonin e ri prej 4000 metrash katrorë, i cili do të jetë i tëri i përmbushur me brende italiane. Mund të themi se do të sjellim të gjithë Italinë në Kosovë brenda maksimumi dy muajsh", tha Gashi.
Ndërsa, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini tha se në vazhdimësi po dëshmojnë rritjen e pranisë së produkteve italiane në Kosovë dhe kjo falë bashkëpunimit.
"Ky edicion i "Ditës së Dizajnit Italian" në Kosovë vjen pas suksesit të edicioneve të kaluara. Ai dëshmon për një bashkëpunim të suksesshëm dhe të frytshëm ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre italiane në sektorë të ndryshëm. Vit pas viti, ne po dëshmojmë një prani në rritje të produkteve dhe bizneseve italiane që operojnë në Kosovë dhe bashkëpunojnë me kompanitë vendore, në përputhje me partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve tona", tha ai.
Ndërsa, ministrja në detyrë e Industrisë dhe e Tregtisë, Mimoza Kusari -Lila i inkurajoi kompanitë nga Kosova të vazhdojnë bashkëpunimin me kompanitë italiane. Sipas saj, kur flasim për dizajnin italian flasim për një filozofi që ndërthur traditën me inovacionin.
"Si një grua që ka kaluar nëpër shumë përvoja në përpjekjet për të hapur rrugë të reja për fuqizimin e në veçanti për fuqizimin ekonomik, unë i inkurajoj më shumë kompanitë nga Kosova që të vazhdojnë bashkëpunimin – ashtu si kompania e Agimit – me kompanitë italiane. Ne si ministri, nga ana jonë, dhe si Qeveri e Kosovës, jemi angazhuar dhe do të angazhohemi edhe më shumë në bashkëpunimin me kompanitë italiane dhe institucionet italiane....Kur flasim për dizajnin italian, ne flasim për një filozofi që ndërthur traditën me inovacionin, zotësinë e zanatit me teknologjinë dhe krijimtarinë me funksionalitetin. Është pikërisht kjo qasje që u ka mundësuar produkteve italiane të bëhen të njohura globalisht për cilësinë e tyre të lartë, elegancën dhe qëndrueshmërinë. "Made in Italy" është një standard që pasqyron përkushtimin ndaj detajeve, respektin për punën e zanatit dhe investimin e vazhdueshëm në inovacion", tha Kusari-Lila.


