Please enter at least 3 characters.

Alvaro Arbeloa ndryshon të ardhmen e Vinicius Junior

Mbërritja e Alvaro Arbeloas në stolin e Real Madridit ka rezultuar vendimtare për ndryshimin e qëndrimit të Vinicius Junior ndaj së ardhmes së tij në klubin madrilen.

Megjithatë, përpara një rinovimi të mundshëm kontrate, klubi dhe lojtari duhet ende të kapërcejnë diferenca të mëdha në aspektin financiar.

“Arbeloa e ka ndryshuar skenarin, sepse si në publik ashtu edhe privatisht po tregohet shumë i afërt me Viniciusin, duke i dhënë mbështetje dhe besim. Madje ka deklaruar se do t’u kërkojë shokëve të skuadrës ta kërkojnë vazhdimisht me top, që ai të bëjë diferencën, sepse për të është një nga lojtarët më të mirë në botë, së bashku me Kylian Mbappe”, është shprehur gazetari Mario Cortegana.

Në kanalin e tij në YouTube, Cortegana thekson se, pas largimit të Xabi Alonsos të cilin Viniciusi e konsideronte një pengesë për zhvillimin e karrierës së tij, sulmuesi brazilian ka rifilluar të shqyrtojë seriozisht zgjatjen e kontratës me Real Madridin.

Çështja financiare, ende pengesë

Edhe drejtuesit e klubit dëshirojnë ta zgjasin bashkëpunimin me brazilianin, por oferta aktuale ekonomike mbetet larg kërkesave të lojtarit.

Real Madridi ofron rreth 20 milionë euro në sezon, ndërsa Viniciusi kërkon afro 30 milionë euro.

Për rrjedhojë, pavarësisht dispozicionit pozitiv nga të dyja palët, negociatat janë ende larg një marrëveshjeje përfundimtare.

Një zgjidhje e mundshme mund të jetë rritja e pagës fikse ose përmirësimi i bonuseve, por këto opsione ende nuk janë diskutuar konkretisht dhe, për momentin, nuk ka takime të planifikuara.

Sidoqoftë, Vinicius Junior ndihet shumë më i qetë dhe më i vlerësuar sesa disa muaj më parë, një sinjal pozitiv për Real Madridin dhe për vazhdimësinë e tij në “Santiago Bernabeu”. /Telegrafi/