Albin Kurti viziton Sabri Fejzullahun në 77 vjetorin e lindjes, i dhuron atij çiftelinë a gravuar në filigram
Sot, këngëtari i mirënjohur Sabri Fejzullahu festoi ditëlindjen e tij të 77-të, një moment i veçantë për të dhe gjithë adhuruesit e tij. Me këtë rast të rëndësishëm, ai priti një mysafir të veçantë – kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një vizitë simbolike, kryeministri e nderoi Sabri Fejzullahun duke e surprizuar me një tortë dhe një dhuratë të veçantë: një çifteli shqiptare e gravuar në filigram. Përkundër kësaj, Sabriu ia dhuroi Kurtit një prej albumeve të tij më të fundit me autograf, duke e shënuar momentin si një shkëmbim të ndërsjellë respekti dhe dashurie për artin dhe kulturën.
Përshtypjet nga kjo vizitë dhe fotografitë e bukura, Kurti i ndau me ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook. Ai shprehu vlerësimin dhe admirimin për figurën e Sabri Fejzullahut, duke e përshkruar atë si një thesar të gjallë të kulturës dhe muzikës popullore të Kosovës.
Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:"59 vjet të furishme sepse të pandalshme e me deri 80 pjesëmarrje në koncerte për vetëm dy muaj periudhë kohore. Lum i gëzuar kënge që rrjedh përherë aty.Sot pata kënaqësinë të vizitoj Sabri Fejzullahun për ditëlindjen e tij të 77-të, një figurë sa aktive e pasionante aq edhe e talentuar e punëtore e kulturës popullore dhe muzikës argëtuese të Kosovës.Pak njerëz si Sabri Fejzullahu mund të përbashkojnë shpirtin energjik dhe krijimtarinë produktive të kombit tonë.Ai me bashkëshorten Nera dhe djalin Ermalin, me vëllezër e mbesa, na pritën me ngrohtësi, dhe gjatë kësaj vizite, Sabriu ndau me ne një udhëtim magjepsës përmes gjashtë dekadave të karrierës së tij. Ai e nisi rrugëtimin e tij muzikor më 5 shtator 1965, dhe prej asaj dite ka qenë një forcë e vrullshme që ka formësuar muzikën pop në Kosovë dhe më gjerë.Gjatë bisedës, ai rrëfeu përjetimet e tij mbresëlënëse, duke përmendur bashkëpunimet me figura të shquara dhe momentet kyçe që shënuan karrierën e tij të pasur, si dhe përvojat e tij me njerëz të papërsëritshëm si Jusuf Gërvalla.Çdo histori ishte një pasqyrim i jetës së ndryshimeve të mëdha politike nëpër të cilat kaloi Kosova, e ku mëson diçka më shumë edhe për atë që e ke ditur, gjithnjë të mbështjella me dashurinë e tij të pamasë për artin dhe publikun, e cila ndjehet në çdo performancë të tij.Sabri Fejzullahu, me 1098 këngë të shprehjeve të ndryshme muzikore dhe një trashëgimi artistike të pashoqe, është një thesar i gjallë i kulturës sonë. E falënderoj për këto rrëfime të paharrueshme nga kujtesa e tij e mrekullueshme dhe për gjithë ato vite të bukura përkushtimi të pakursyer që na ka dhuruar. Gëzuar ditëlindjen dhe shumë suksese të tjera përpara, Sabri!".
Ky takim ishte një përkujtim i fuqishëm për kontributin e jashtëzakonshëm të Sabri Fejzullahut në muzikën dhe kulturën shqiptare, duke u shfaqur si një figurë që ende frymëzon dhe argëton brezat me punën dhe përkushtimin e tij të pandalshëm. /Telegrafi/


