Please enter at least 3 characters.

Albin Kurti ngushëllon ekipin dhe tifozët e Kosovës: Ishim pranë ëndrrës, krenaria mbetet

Pas humbjes së dhimbshme 0-1 ndaj Turqisë në stadiumin Fadil Vokrri, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke ndarë një mesazh emocional për ekipin kombëtar dhe tifozët.

Kurti theksoi se e gjithë shoqëria mbetet e pikëlluar dhe e zhgënjyer nga rezultati, duke pranuar se ekziston një ndjenjë kolektive e “çfarë do të kishte ndodhur sikur…”. Sipas tij, pritshmëritë ishin të mëdha dhe i gjithë kombi kishte shpresuar në një përfundim ndryshe.

Megjithatë, ai vuri në pah se pavarësisht disfatës, Kombëtarja e Kosovës ka dhënë emocione të jashtëzakonshme dhe ka bërë krenarë të gjithë qytetarët me paraqitjet e saj. Kurti nënvizoi se fakti që Kosova ishte kaq pranë kualifikimit për Kupën e Botës dëshmon për rritjen dhe potencialin e madh të ekipit.

Në fund, ai bëri thirrje për unitet dhe mbështetje të vazhdueshme për lojtarët, trajnerin dhe stafin, duke theksuar se suksesi i madh është afër dhe se Kombëtarja meriton përkrahje në çdo moment.

Postimi pa ndërhyrje i Kurtit

Të gjithë jemi ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu.

Por le të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi.

Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje. /Telegrafi/