Please enter at least 3 characters.

Alarm në Kolumbi: Futbollisti zhduket pas tërmetit, klubi nuk di asgjë për të

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter, që goditi Kolumbinë të hënën, ka shkaktuar shqetësim të madh edhe në botën e futbollit.

Një situatë veçanërisht dramatike vjen nga klubi i elitës kolumbiane Deportivo Pereira, ku trajneri Arturo Reyes ka konfirmuar se skuadra ka humbur kontaktin me një prej lojtarëve të saj pas tërmetit.

Në një intervistë për televizionin kolumbian WIN Sports, Reyes bëri të ditur se, bazuar në informacionet që klubi ka marrë deri më tani, familjet e lojtarëve janë të sigurta. Megjithatë, për shkak të dëmtimeve të rënda të ndërtesave të banimit, shumë futbollistë dhe familjet e tyre nuk kanë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre.

Megjithatë, shqetësimi më i madh për klubin aktualisht lidhet me situatën e 20-vjeçarit Miguel Palacios.

Siç tregoi Reyes, Palacios u kthye në lagjen e tij pas përfundimit të stërvitjes, por që nga ai moment klubi nuk ka mundur të vendosë më kontakt me të.

“Kemi një lojtar, Miguel Palacios, i cili u kthye në lagjen e tij pas stërvitjes dhe që atëherë nuk kemi marrë absolutisht asnjë lajm për të. Jemi të gjithë shumë të shqetësuar dhe po përpiqemi të zbulojmë se çfarë po ndodh”, deklaroi Reyes.

Deportivo Pereira nisi menjëherë kërkimet për futbollistin, ndërsa disa prej shokëve të tij të skuadrës, të cilët nuk kishin udhëtuar me ekipin, u përpoqën të shkonin në vendbanimin e tij për ta gjetur.

“Kemi dërguar disa njerëz që ndodhen në Pereira, përfshirë edhe lojtarë që nuk udhëtuan, për ta kërkuar në banesën e tij, por deri më tani nuk kemi mundur të vendosim kontakt me të”, shtoi trajneri, dukshëm i shqetësuar.

Reyes bëri të ditur gjithashtu se e gjithë skuadra dëshiron të rikthehet në Pereira sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që futbollistët të jenë pranë familjeve të tyre, por edhe të ndihmojnë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

“Shpresojmë të arrijmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mblidhemi të gjithë për të parë se si mund t’u jemi të dobishëm njerëzve dhe si mund t’i ndihmojmë”, përfundoi trajneri i Deportivos./Telegrafi/