Al Hilal dërgon ofertë zyrtare për Darwin Nunez
Sipas gazetarit saudit Hamad Al-Suwailhi, Al Hilal ka bërë një ofertë zyrtare për sulmuesin e Liverpoolit, Darwin Nunez.
“Al Hilal i ka dërguar një ofertë zyrtare klubit anglez, Liverpoolit, për të blerë sulmuesin Nunez, i cili aktualisht është zgjedhja kryesore për trajnerin (Simone) Inzaghi,” shkroi gazetari në X.
Detajet financiare të ofertës nuk janë bërë publike, por Liverpooli thuhet se është i gatshëm ta shqyrtojë atë, pasi është i hapur për shitjen e uruguaianit nëse vjen një propozim bindës.
Fabrizio Romano ende nuk e ka konfirmuar ofertën, por thekson se bisedimet mes klubeve pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, duke lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje këtë verë.
Nunez, i cili iu bashkua Liverpoolit në verën e vitit 2022 nga Benfica, ka pasur një paraqitje të luhatshme në “Anfield”, duke alternuar momentet e shkëlqyera me periudha pa efektivitet përpara portës. Kjo ka shtuar dyshimet brenda klubit për të ardhmen e tij afatgjatë.
Nëse transferimi konkretizohet, Nunez do të bashkohej me yje të tjerë në Arabinë Saudite, duke u bërë pjesë e projektit ambicioz të Al Hilal për të ndërtuar një ekip elitë nën drejtimin e trajnerit italian Simone Inzaghi. /Telegrafi/


