"Ai ushtron presion mbi viktimën, jo mbi agresorin", ish-ambasadorja e SHBA-së nuk mbështet politikën e Trumpit ndaj Ukrainës
Ish-ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë tha se dha dorëheqjen sepse nuk ishte dakord me trajtimin e luftës në Ukrainë nga Donald Trump.
Bridget Brink, e cila shërbeu si ambasadore në Ukrainë nga maji 2022 deri në largimin e saj muajin e kaluar, përshkroi arsyet e largimit të saj në një shkrim të botuar nga Detroit Free Press.
"Unë respektoj të drejtën dhe përgjegjësinë e presidentit për të përcaktuar politikën e jashtme të SHBA-së me kontrollet dhe balancat e duhura nga Kongresi amerikan”, tha ajo, shkruan skynews.
“Fatkeqësisht, politika që nga fillimi i administratës Trump ka qenë të ushtrojë presion mbi viktimën, Ukrainën, sesa mbi agresorin, Rusinë”, shtoi Brink.
"Si e tillë, unë nuk mund të zbatoja më në mirëbesim politikën e administratës dhe ndjeva se ishte detyra ime të largohesha."
Bëhet e ditur se një diplomate për gati 30 vjet, Brink u konfirmua si ambasadore tre muaj pasi Rusia filloi agresionin në Ukrainë në shkurt 2022.
"Unë nuk mund të qëndroj pranë ndërsa një vend pushtohet, bombardohet një demokraci dhe fëmijët vriten pa u ndëshkuar”, tha ish-ambasadorja.
"Unë besoj se e vetmja mënyrë për të siguruar interesat e SHBA-së është të ngrihemi në mbrojtje të demokracive dhe të qëndrojmë kundër autokratëve. Paqja me çdo çmim nuk është aspak paqe.” /Telegrafi/


