Please enter at least 3 characters.

"Ai është numri 6 më i mirë që ka ardhur në Rumani, ngjan me Kovacic" - drejtuesi i Cluj me fjalë të mëdha pas transferimit të Emërllahut

Nelu Varga, pronari i CFR Cluj, ka lavdëruar Lindon Emerllahun (22 vjeç), mesfushorin e transferuar nga FC Ballkani. 

Aksioneri i klubit rumun është i bindur se kanë bërë një goditje me transferimin e kosovarit, të cilin e ka quajtur “ndoshta numrin 6 më të mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani”.

Varga tha se ka paguar 700 mijë euro për lojtarin me 100 ndeshje në treshen e Ballkanit. Këtë sezon mesfushori ka 23 ndeshje, 3 gola dhe një asistim.

Ai ishte i pranishëm në Arenën Kombëtare gjatë ndeshjes Rumani – Kosovë, kur lojtarët tanë ishin larguar nga fusha pas thirrjeve të tifozëve rumun.

“Bëmë një lëvizje të vërtetë në ditën e fundit të transferimeve dhe morëm Lindon Emerllahun nga Ballkani. Ai është ndoshta numri 6 më i mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani. Kam paguar 700 mijë euro për të, plus 15 për qind për një transferim të ardhshëm”.

“Është një futbollist i jashtëzakonshëm, do të lërë menjëherë gjurmë në lojën e CFR-së. Ka pasur edhe lojtarë të tjerë nga Kosova, por Emerllahu është një nga futbollistët më të vlefshëm që kemi arritur të sjellim”.

“Është një transferim që e mbajtëm të fshehtë, sepse donim shumë që ky futbollist të vinte në CFR Cluj. Ai është lloji i lojtarit që bën diferencën dhe që do të na ndihmojë të fitojmë titullin kampion. “Nëse më duhej ta krahasoja me dikë, atëherë ai është si Mateo Kovacic i Manchester City”, ka thënë Nelu Varga, përcjell mediumi rumun fanatik.ro.

CFR Cluj aktualisht ka tre mesfushorë mbrojtës në skuadër, Moustapha Name, Kader Keita dhe Panagiotis Tachtsidis (i lënduar). /Telegrafi/