Please enter at least 3 characters.

Ahmeti: Mbi 80% e nxënësve në Kosovë nuk i imagjinojnë detyrat e shtëpisë pa inteligjencën artificiale

Agon Ahmeti nga ETEA
Foto: Ridvan Slivova

Mbi 80 për qind e nxënësve në Kosovë e kanë të vështirë të imagjinojnë kryerjen e detyrave të shtëpisë pa përdorimin e inteligjencës artificiale.

Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, në “Përballje Podcast”, duke prezantuar disa nga gjetjet e një studimi mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimin parauniversitar.

Sipas Ahmetit, kjo është një nga të dhënat më shqetësuese që ka dalë nga hulumtimi, pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e mendimit kritik te nxënësit.

“Një e dhënë shumë interesante që na ka dalë është se mbi 80 për qind e nxënësve sot në Kosovë raportojnë se e kanë të vështirë me imagjinu me i bo detyrat e shtëpisë pa inteligjencë artificiale”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te përdorimi i AI-së, por te mungesa e udhëzimeve se si ajo duhet të përdoret në mënyrë të drejtë dhe të dobishme në procesin mësimor.

“Sot nuk ka kurrfarë udhëzimi se cila është mënyra e duhur për me përdorë inteligjencën artificiale gjatë detyrave. Nuk e din as mësuesi, as nxënësi se çfarë udhëzimi duhet të japë apo të marrë”, u shpreh ai.

Ahmeti bëri të ditur se në kuadër të studimit, nxënësit janë pyetur edhe nëse do të vazhdonin ta përdornin inteligjencën artificiale në rast se mësimdhënësit do t’ua ndalonin.

- YouTubewww.youtube.com

“I kemi pyetur nëse e përdorin AI-në edhe kur mësimdhënësi u thotë të mos e përdorin. Rreth 98 për qind kanë thënë se do ta përdornin përsëri”, deklaroi ai.

Sipas tij, kjo dëshmon se debati nuk duhet të fokusohet më në pyetjen nëse inteligjenca artificiale duhet të përdoret apo jo në shkolla.


“Nuk është më diskutim a me përdorë apo mos me përdorë. Inteligjenca artificiale tashmë është realitet. Diskutimi duhet të jetë si ta përdorim në mënyrën e duhur”, theksoi Ahmeti.

Ai u bëri thirrje institucioneve arsimore që të hartojnë sa më shpejt udhëzime dhe politika të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla, në mënyrë që të shmangen pasojat negative dhe të shfrytëzohen përfitimet që ofron kjo teknologji. /Telegrafi/.