Ahmeti: Larg duart nga Marrëveshja e Ohrit, ajo garantohet nga SHBA, BE dhe NATO
Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi një panel diskutimi, ku morën pjesë gjashtë panelistë.
Aktiviteti nisi me shfaqjen e një dokumentari, i cili përmes kronologjisë paraqiti ngjarjet që i paraprinë konfliktit të vitit 2001, zhvillimet gjatë konfliktit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht 2001, si dhe zhvillimet në 25 vitet e fundit.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ishte njëri ndër protagonistët kryesorë të konfliktit të vitit 2001, tha se Marrëveshja e Ohrit ka qenë një nga faktorët kryesorë që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në NATO, ndërsa ajo duhet të shërbejë edhe si bazë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Ai tha se, aq sa e duan liderët maqedonas Maqedoninë e Veriut, aq e do edhe ai, duke theksuar se interes i përbashkët duhet të jetë përparimi dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.
“Un e dua Maqedoninë z.Buçkovski sa e doni ju, ky është vendi im, këtu i kam gjysh e stërgjyshë, katragjyshë e varet, sa e do Branko Cërvenkovski, sa e do Hristijan Mickoski, prandaj larg duartë nga Marrëveshja e Ohrit ç’do kush që tenton të rrënojë gjuhën shqipe, të rrënojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë. Të arriturat me marrëveshjen e Ohrit, të garantuara me marrëveshjen e Ohrit, M.O e garantuar nga SHBA, BE dhe NATO, kështu që kemi punuar bashkë 20 vjet, nuk them un që është vetëm rezultat i shqiptarëve, nuk them un që vetëm shqiptarët kanë fituar me M.O, ka fituar edhe kombi maqedonas”, tha Ahmeti.


