Please enter at least 3 characters.

Agjenti i Julian Alvarez përgjigjet për spekulimet e një transferimi te Barcelona apo Arsenali

Sulmuesi i Atletico Madridit, Julian Alvarez, vazhdon të jetë i lidhur me një largim nga klubi, pavarësisht se Los Colchoneros vazhdimisht kanë siguruar se nuk kanë ndërmend ta shesin lojtarin e kombëtares argjentinase. Më parë këtë sezon ai i hodhi poshtë lidhjet me Barcelonën, dhe tani agjenti i tij,Fernando Hidalgo, ka dalë për të diskutuar publikisht të ardhmen e tij.

Barcelona është lidhur me Alvarezin për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, me presidentin Joan Laporta që duket se e preferon atë për të zëvendësuar Robert Lewandowskin këtë verë. Kohët e fundit, edhe Chelsea është interesuar për të , dhe disa raportime tani pohojnë se Arsenali po shqyrton nisjen e një ofensive për të.

Verën e kaluar, agjenti i Alvarezit i hodhi benzinë zjarrit, duke shpjeguar se “nuk mendoj se ka shumë argjentinas që nuk kanë dashuri për Barcelonën ”. Këtë herë ai i minimizoi lidhjet.

“Çdo klub i interesuar për Julian duhet të kontaktojë menaxhmentin e Atletico Madridit, pasi lojtari është nën kontratë dhe i përkushtuar ndaj klubit”, tha ai për Eremnews, citon gazeta Sport.

“Nuk është e vërtetë, nuk jam takuar me Decon apo askënd nga Barcelona gjatë periudhës aktuale", shpjegoi ai, kur u pyet për kontaktet e supozuara midis të dyve.

E përditshmja katalunase shton se ka informacione kontradiktore mbi gatishmërinë e Atleticos për të negociuar. Edhe pse disa burime sigurojnë se Atletico nuk ka ndërmend të dëgjojë ofertat, të tjera pretendojnë se një ofertë prej 120 milionë eurosh do të merret në konsideratë.

Përveç kësaj, Alvarez nuk po kalon sezonin më të lehtë, pa gol që nga 1 nëntori në La Liga. Duke përfshirë edhe garat e kupës, shifrat e tij duken dukshëm më të mira, me 11 gola dhe pesë asistime në 28 paraqitjet e tij, por nuk ka dyshim se kontributi i tij ka qenë nën pritjet në muajt e fundit.

Gjatë ndeshjeve të fundit, Diego Simeone ka vazhduar ta zëvendësoj atë rreth minutës së 60-të. /Telegrafi/