Please enter at least 3 characters.

Agim Aliu falënderon Gillian Coughlan për mbështetjen ndaj Kosovës në dokumentet e Komitetit të Rajoneve

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, i ka dërguar një letër falënderimi kryetares së Grupit Punues për Kosovën në Komitetin e Rajoneve të Bashkimit Evropian, Gillian Coughlan, për kontributin dhe mbështetjen e saj në Opinionin e fundit të këtij institucioni lidhur me Pakon e Zgjerimit 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Sipas njoftimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, në këtë letër vlerësohet qasja konstruktive dhe parimore e Coughlan, veçanërisht rekomandimi i saj për harmonizimin e terminologjisë për Kosovën me atë që përdoret nga Parlamenti Evropian.

Në letër theksohet gjithashtu rekomandimi për ndërprerjen e përdorimit të emërtimit “Kosovo” dhe fusnotës përkatëse në dokumentet publike të Komitetit të Rajoneve, hap që konsiderohet i rëndësishëm për qartësinë dhe konsistencën institucionale në institucionet evropiane.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka theksuar edhe rëndësinë e rolit të komunave dhe autoriteteve lokale në procesin e integrimit evropian, duke i cilësuar ato si aktorë kyç në zbatimin e reformave dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Në letër është shprehur gjithashtu gatishmëria e AKK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Komitetin e Rajoneve, veçanërisht në kuadër të Grupit Punues të këtij institucioni për Kosovën, i cili synon forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/