Aeroporti danez mbyllet sërish shkaku i dyshimeve për sulm me dronë hibrid
Aeroporti i Aalborgut në Danimarkë u mbyll përsëri të enjten në mbrëmje për shkak të aktiviteteve të dyshuara me dronë, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve për herë të dytë brenda 24 orëve.
Ky incident ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe ka nxitur autoritetet daneze të kërkojnë mbështetje nga NATO dhe Bashkimi Evropian, raporton euronews.
Në një konferencë për shtyp, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, e përshkroi këtë ngjarje si një "sulm hibrid" që përfshin një "qasje sistematike" dhe përdorimin e dronëve nga individë me aftësi profesionale pranë infrastrukturës kritike.
Ai shtoi se autoritetet kanë marrë autorizimin për të rrëzuar dronët në rast të incidenteve të ardhshme dhe janë të angazhuar për të identifikuar autorët.
Danimarka ka vendosur në gatishmëri disa aeroporte, përfshirë ato në Aalborg, Esbjerg, Sonderborg dhe Skrydstrup.
Dronët që ndërprenë operacionet në Aalborg u larguan pas rreth tre orësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. Incidentet e ngjashme janë regjistruar edhe në aeroporte të tjera, duke përfshirë ato në Kopenhagë dhe Oslo, të cilat gjithashtu janë mbyllur për shkak të aktiviteteve të dyshuara me dronë.
Në përgjigje të këtyre ngjarjeve, autoritetet daneze po shqyrtojnë mundësinë e aktivizimit të nenit 4 të NATO-s, që lejon konsultime dhe veprime të përbashkëta në rast të kërcënimeve ndaj sigurisë së aleatëve.
Ministri Poulsen theksoi se Danimarka ka nevojë për një gamë të gjerë mjetesh për të përballuar kërcënimet e tilla, përfshirë sisteme mbrojtëse ajrore dhe kapacitete ushtarake të avancuara. /Telegrafi/


