Abazi akuzon Ramën për presion ndaj zyrtarëve: Punëtorët nuk të kanë faj
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berita Abazi, ka ngritur akuza ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke pretenduar se pas një takimi të zhvilluar në ambientet e komunës është shtuar presioni dhe kontrolli ndaj zyrtarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Abazi ka thënë se të mërkurën e javës së kaluar Rama është takuar me Florent Maliqin, Arbër Sadikin dhe dy zyrtarë të legalizimeve, emrat e të cilëve, sipas saj, nuk do të bëhen publikë për momentin.
“Të mërkurën e javës së kaluar, në ambientet e komunës, janë takuar Përparim Rama, Florent Maliqi, Arbër Sadiki dhe dy zyrtarë të legalizimeve, emrat e të cilëve nuk po i publikojmë tash për tash”, ka shkruar Abazi.
Ajo ka pretenduar se takimi është zhvilluar herët në mëngjes dhe ka zgjatur për disa orë, me dyer të mbyllura.
“Janë mbledhur herët në mëngjes dhe kanë qëndruar për orë të tëra në takim me dyer të mbyllura”, thuhet në reagimin e saj.
Sipas Abazit, pas këtij takimi është shtuar kontrolli ndaj zyrtarëve të komunës.
“Pas këtij takimi është shtuar presioni dhe kontrolli i pakuptueshëm mbi zyrtarët”, ka deklaruar ajo.
Asamblistja e VV-së i është drejtuar drejtpërdrejt kryetarit Rama, duke e akuzuar se përgjegjësia për veprimet e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij nuk duhet t’u atribuohet punëtorëve.
“Përparim, punëtorët nuk të kanë faj. Për veprimet e tua dhe të bashkëpunëtorëve të tu, përgjegjësinë kryesore e ke ti”, ka shkruar Abazi.
Në fund të reagimit, ajo ka ngritur pyetje në drejtim të Prokurorisë.
“Prokuroria?”, ka përfunduar Abazi.
Abazi nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me natyrën e pretendimeve, ndërsa në reagimin e saj nuk ka paraqitur prova publike për akuzat e ngritura. /Telegrafi/


