Please enter at least 3 characters.

A ka nisur operacioni hibrid i Rusisë në Letoni?

Një protestë masive në mbështetje të Teatrit Çehov është paralajmëruar për të martën e ardhshme në kryeqytetin e Letonisë, Riga, pas vendimit të autoriteteve për të hequr gjuhën ruse nga të gjitha materialet zyrtare të institucionit.

Vendimi parashikon që gjuha ruse të mos përdoret më në tabelat, posterët, programet, faqen zyrtare të internetit dhe llogaritë e teatrit në rrjetet sociale. Megjithatë, shfaqjet në gjuhën ruse do të vazhdojnë të jenë pjesë e repertorit të teatrit.

Protesta vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe vendeve baltike, ndërsa disa analistë kanë ngritur pyetjen nëse kjo mund të shënojë fillimin e një operacioni të ri hibrid të Moskës në Letoni, duke shfrytëzuar çështjet që lidhen me komunitetin rusishtfolës.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, mes 34 dhe 44 për qind e banorëve të Rigës janë rusishtfolës, çka e bën çështjen e përdorimit të gjuhës ruse veçanërisht të ndjeshme në kryeqytetin letonez.

Zhvillimet marrin një peshë edhe më të madhe në dritën e ndryshimeve të miratuara nga Kremlini gjatë muajit qershor.

Me zgjerimin e kompetencave të presidentit rus, Vladimir Putin, legjislacioni rus i jep atij mundësinë të autorizojë përdorimin e forcave ushtarake për "mbrojtjen" e shtetasve rusë dhe bashkatdhetarëve jashtë kufijve të Rusisë.

Ky ndryshim ligjor ka ngjallur shqetësim në vendet fqinje të Rusisë, të cilat druajnë se Moska mund ta përdorë mbrojtjen e pakicave rusishtfolëse si justifikim për rritjen e presionit politik ose ndërhyrjeve hibride në rajon. /Telegrafi/