A ka libër të shkruar dhe materiale për Presidentin Rugova?
Shkas për këtë sqarim apo përgjigje në pyetjen e titullit, është pohimi nga udhëheqësi dhe autori i emisionit Opinion ne TV Klan, Blendi Fevziu, dhe pohimi i moderatorit të këtij emisioni, Baton Haxhiu, se deri më sot nuk ka asnjë libër të shkruar për Ibrahim Rugovën dhe arsyetimi se Fevziu ka menduar të shkruaj një libër për të, por se kinse në mungesë të materialeve që nuk ekzistuakan, s’ka pasur mundësi. Mungesën e materialeve për Rugovën e pohoi edhe Batoni në të njëjtin emision.
Para ca ditësh i ftuar në një debat televiziv të moderuar nga Baton Haxhiu përballë Astrit Gashit e Albatros Rexhajt, gazetari e publicisti Blendi Fevziu i pyetur nëse do të shkruante një libër tjetër (përveç Enver Hoxhës dhe Ahmet Zogut), ai tha se e ka menduar si protagonist presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, meqenëse nuk ka libër të shkruar për të dhe me këtë rast thotë: “Gjithmonë ka qenë një karakter që më ka cytur, por të bësh libër për të është e pamundur. Ka shumë pak dokumente, shumëçka është ende e mitizuar nëpërmes gojëve të njerëzve. Po të gjeja të njëjtën sasi dokumentesh si për librat e kaluar, do të shkruaja për Rugovën”, ka shtuar ndër të tjerash Fevziu për t’u plotësuar menjëherë nga moderatori Haxhiu se nuk ka materiale për Rugovën.
Dua ta sqaroj opinionin dhe tre të pranishmit në këtë emision (Blendin, Batonin dhe Albatrosin), përveç Astrit Gashit për të cilin nuk jam i sigurt se me ose pa qëllim këta të tre heshtën karshi një realiteti dhe fakti se për Rugovën ekzistojnë të shkruara dhe materiale të bollshme. Në mesin e tyre është edhe libri “Në hap me Rugovën”, i shkruar nga bashkëpunëtori i tij i afërt Adnan Merovci.
Batonit po ia rikujtoj se në promovimin e këtij libri në Prishtinë ai ishte njëri nga diskutuesit, ku asokohe pati thënë: “Për Rugovën do të shkruhen edhe libra të tjerë, por i kisha sugjeruar çdokujt që nëse don të shkruaj për Rugovën ai fillimisht duhet ta lexojë librin e Adnanit”.
Albatrosit po ia rikujtoj se në panairin e librit në vitin e botimit të tij, libri “Në hap me Rugovën” ishte ndër librat më të shitur gjë që u bë edhe publike nga organizatori i publikut, ku edhe Albatrosi ishte pjesëmarrës me librin e tij.
Blendit po ia rikujtoj se librin “Në hap me Rugovën” ia kam dërguar me dedikim në pliko në Tiranë për të cilin në FB më ka konfirmuar pranimin. Bile i kam kërkuar edhe një debat për Rugovën në Opinion.
Pra, i tillë çfarë është po ekzistueka një libër autentik, faktik dhe me materiale të bollshme (500 faqe tekst, 100 faqe fotografi, 100 faqe dokumente) për presidentin historik Rugova.
Libri “Në hap me Rugovën” deri më tani është promovuar në Prishtinë, Tiranë, Shkodër, Ulqin, Shkup, Zvicër, Gjermani etj. dhe në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2015, jam i ftuar që ta promovoj në Kroaci - Zagreb dhe Rijekë nga komuniteti shqiptar.
E, sa për mungesë të materialeve për Rugovën po ia rikujtoj Batonit dhe Blendit se që të dy i kam njoftuar që kam rreth 1000 orë video material digjital dhe me qindra dokumente kryesisht për Rugovën dhe për këtë kam ofruar mundësi të një dokumentari për Rugovën për të cilën gjë u bënë të shurdhër.
Pra, ka libër të shkruar për Rugovën dhe ka materiale të bollshme për te.


