Please enter at least 3 characters.

A ka bebi shumë vapë apo të ftohtë gjatë gjumit? Ja si ta kuptoni pa e zgjuar

Duart dhe këmbët mund t’ju mashtrojnë – një pjesë tjetër e trupit tregon shumë më saktë nëse foshnja është rehat

Për shumë prindër, zgjedhja e veshjes së duhur për gjumin e foshnjës është burim shqetësimi. A ka shumë vapë, a ka të ftohtë, a është thes gjumi i përshtatshëm dhe sa i madh është rreziku nga mbinxehja – këto janë pyetje të zakonshme, sidomos kur bëhet fjalë për gjumin e sigurt të bebeve.

Foshnjat nuk mund të tregojnë si ndihen dhe organizmi i tyre ende nuk e rregullon temperaturën po aq mirë sa ai i të rriturve. Megjithatë, disa rregulla të thjeshta mund të ndihmojnë.

Thesi i gjumit

Rregulli bazë është që sa më e thjeshtë të jetë veshja, aq më mirë.

Thasët e gjumit janë mbulesa që vishen dhe e mbajnë bebin ngrohtë pa rrezikun që t’i mbulojnë kokën. Për shkak se jorganët nuk rekomandohen për foshnjat e vogla dhe batanijet kërkojnë kujdes të veçantë, thesi i gjumit është shpesh zgjidhja më praktike.

Ata gjenden në trashësi të ndryshme, në varësi të temperaturës së dhomës.

Pizhame njëpjesëshe

Pizhamet njëpjesëshe me mëngë dhe këmbëza janë një zgjedhje e zakonshme.

Në varësi të temperaturës, ndonjëherë mjaftojnë vetëm pizhamet dhe thesi i gjumit, ndërsa në raste të tjera mund të nevojitet një shtresë më shumë ose më pak.

Po batanijet?

Nëse përdoret batanije, ajo duhet të jetë e lehtë dhe prej materiali që ajroset mirë.

Duhet të vendoset nën sqetullat e foshnjës, me duart jashtë, në mënyrë që të mos rrëshqasë mbi fytyrë. Këmbët e bebit duhet të jenë pranë fundit të krevatit, ndërsa koka duhet të mbetet gjithmonë e pambuluar, transmeton Telegrafi.

Mbështjellja e foshnjës

Disa bebe ndihen mirë të mbështjella, ndërsa të tjerave nuk u pëlqen.

Mbështjellja duhet të ndërpritet sapo foshnja të fillojë të përpiqet të rrotullohet në bark. Materiali duhet të jetë i hollë dhe i vendosur në mënyrë të sigurt, që të mos lirohet e t’i mbulojë fytyrën.

Nëse bebi është i mbështjellë, nuk duhet shtuar edhe shumë shtresa të tjera, sepse rritet rreziku i mbinxehjes.

Cila temperaturë rekomandohet në dhomë?

Temperatura e dhomës është një nga treguesit më të mirë për mënyrën se si duhet veshur foshnja.

Në përgjithësi rekomandohet që dhoma ku fle bebi të jetë rreth 16 deri në 20°C.

Në këtë temperaturë, zakonisht mund të përdoren pizhame njëpjesëshe dhe një thes gjumi me trashësi të përshtatshme, duke respektuar gjithmonë udhëzimet e prodhuesit.

Mos u bazoni te duart dhe këmbët

Për të kontrolluar nëse bebi ka vapë, prekni gjoksin ose pjesën e pasme të qafës.

Nëse lëkura është e ngrohtë, zakonisht gjithçka është në rregull. Nëse është e djersitur, e nxehtë ose ngjitëse, foshnja mund të ketë shumë vapë dhe duhet hequr një shtresë.

Duart dhe këmbët shpesh janë më të ftohta dhe nuk janë tregues i besueshëm.

Nëse gjoksi ose shpina janë të ftohta, mund të shtoni një shtresë veshjeje.

Shenjat që bebi mund të ketë shumë vapë

Flokët e lagur, faqet e skuqura, frymëmarrja më e shpejtë dhe puçrrat nga nxehtësia mund të jenë shenja mbinxehjeje.

Nëse dhoma është shumë e ngrohtë, mund ta ajrosni ose të përdorni ventilator, por pa e drejtuar ajrin drejtpërdrejt te foshnja.

Në verë përdorni më pak shtresa dhe materiale të lehta, si pambuku. Në dimër, veshja me disa shtresa të holla është zakonisht më praktike.

Kapela dhe dorezat nuk janë të nevojshme gjatë gjumit.

Rregulli më i thjeshtë është ky: kontrolloni gjoksin ose qafën, jo duart dhe këmbët, dhe përshtatni shtresat sipas temperaturës së dhomës. /Telegrafi/