Please enter at least 3 characters.

​A e la mungesa e dokumentimit Kosovën për vite në defanzivë për krimet e luftës?

Foto: Ridvan Slivova

Kosova ka qenë për një kohë të gjatë në pozicion defanziv në raport me krimet e luftës, për shkak të mungesës së dokumentimit institucional dhe të verifikueshëm.

Kështu ka deklaruar drejtori i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), Atdhe Hetemi, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com

- YouTubewww.youtube.com

Sipas tij, mungesa e një arkive shtetërore të dokumentuar profesionalisht ka bërë që Kosova, ndonëse viktimë e krimeve të luftës, të mos ketë pasur mjetet e nevojshme për t’iu kundërvënë narrativave të rreme dhe propagandës nga Serbia.

“Si rezultat i mungesës së dokumentimit në mënyrë të mirëfilltë dhe të institucionalizuar, Kosova për vite ka marrë një pozicion defanziv sa i përket krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.

Foto: Ridvan Slivova

Ai theksoi se kjo situatë ka ndikuar edhe në mënyrën se si krimet janë trajtuar në arenën ndërkombëtare, përfshirë studimet, raportimet dhe prodhimet dokumentare që shpesh kanë ardhur nga palë të tjera.

“Na ka munguar dokumentimi i besueshëm që mund të ndahej me ambasada, studiues, gazetarë dhe institucione ndërkombëtare,” u shpreh ai.

Sipas Hetemit, ky boshllëk ka nisur të mbushet vetëm vitet e fundit përmes krijimit dhe funksionalizimit të IKKL-së, i cili po ndërton një arkiv të verifikuar me standarde profesionale dhe metodologji shkencore.

Ai shtoi se dokumentimi institucional nuk është i rëndësishëm vetëm për drejtësinë tranzicionale, por edhe për pozicionin politik dhe diplomatik të Kosovës.

“Vetëm me dokumente të verifikuara, Kosova mund të kalojë nga mbrojtja në prezantimin aktiv të së vërtetës historike,” tha Hetemi.