A do të mbetet shteti peng i politikëbërësve të tejshpenzuar
- Kush do t’i ofrojë elektoratit kosovar profilin e një përfaqësuesi politik të dinjitetshëm?! –
Pavarësisht mendimeve të ekspertëve të jashtëm se Kosova mbetet shtet i papërfunduar dhe se arritjet e EULEX-it janë modeste, ajo po vazhdon shtetbërjen me paterica. Ajo që pako e Ahtisarit ka obliguar e do të duhej të ishte obligim kushtetues, por nuk është bërë, është mos mbajtja e zgjedhjeve nacionale pas periudhës transitore. Ky defekt që në fakt parqet shkelje të kushtetutës së institucioneve të flamurit me 6 yje, është fakt i njohur edhe për vet shkelësit e aktit më të lartë legjislativ, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, ndërkaq që EULEX habitë me heshtjen e tij sikur edhe Pieter Faith.
Pas zgjedhjeve vendore, ato nacionale janë më shumë se nevojë e ngutshme
Mbajtja e zgjedhjeve nacionale, përveç se obligim po bëhet nevojë e domosdoshme. Në një shtet që nuk është njohur sipas premtimit të kryeministrit nga 100 shtete veç në muajt e parë, aty ku Kushtetuta shkelet nga Kryetari dhe Kryeministri i vendit, aty ku premtohet zero tolerancë ndaj korrupsionit e ai lulëzon me shpejtësi drite, aty ku liria e shprehjes matet ende me jetë, aty ku sovraniteti mbetet i kufizuar dhe politika bëhet sipas nevojave të ditës dhe atyre që qeverisin, ai shtet përkufizohet ashtu siç thuhet në librin e Fondacionit Fridrich Ebert, i papërfunduar.
Shteti i cili ende nuk ka një ligj për deklarimin e pasurisë dhe prejardhjen e saj, ai shtet ku zyrtarët e lartë qeveritarë kanë deklaruar pasuri shumë të mëdha në llogaritë e tyre bankare, por jo edhe prejardhjen, nuk do të duhej të ëndërronte mrekulli në proceset integruese e zhvillimore euro-atlantike.
Propozimi i deputetit Armend Zemaj që qartë të definohet me ligj kontrolli i pasurisë së zyrtarëve që nga viti 2000 është po aq i drejtë sa edhe domethënës. Mbështetja që i japin këtij ligji opozita, por edhe gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të cilët pohojnë se Administrata Tatimore (ATK) ka raste të fshehjes së tatimit nga 400 deri në 500 mijë euro, e bën më të qartë për qytetarin gjendjen e rëndë në të cilën gjendet shteti i Kosovës, në fakt qytetarët sepse atë gjendje nuk e ndjejnë sigurisht qeveritarët! Kjo e bën edhe më të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve nacionale, jo vetëm për të ndërruar qeverisja, por për të nisur shteti funksionimin e tij në bazë të Kushtetutës si dhe për të përmbushur obligimet, institucionet për të bërë detyrat e shtëpisë dhe që njëherë e përgjithmonë shteti të funksionojë në bazë të ligjeve dhe parimeve demokratike.
Shteti i cili do të luftonte korrupsionin konkretisht, duke bërë publike pasurinë e zyrtarëve si dhe prejardhjen e tyre, domosdoshëm do të duhej që prapa grilave të fuste edhe qeveritarë a ministra, biznesmenë, deputetë a kryetarë komunash. Atëherë ajo kultura e besimit që proklamohet me të drejtë, do të bënte që qytetari të besojë tek institucionet dhe që shteti përfundimisht do të vihej në shërbim të sovranit. Përndryshe, pjesëmarrja në zgjedhje do të mbetet ende problem esencial për një shtet të ”pa përfunduar”.
Në këto rrethana aktuale, ne nuk do të duhej të habiteshim pse nuk ka hapa konkret drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit dhe as liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës. Ajo që institucionet vendore nuk kanë bërë ”detyrat e shtëpisë” në drejtim të proceseve të integrimit nuk është temë më, por se çfarë ka bërë vet misioni i BE-së lidhur me këto detyra të institucioneve, kjo mbetet ende tabu për qytetarët e vendit. Ata që ende janë në kërkim të atij profili të politikanit i cili do të hyjë në garë zgjedhore me pasurinë e tij, dinjitetin dhe profesionalizmin, por që para se të hyjë në garë nga frika e ligjit do të mendonte mirë se si do të dali nga gara. Kjo sepse do të duhej të bëhej ligji që sanksionon korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe i cili do të ishte i barabartë për të gjithë, pa marrë parasysh funksionin, pozitën apo fuqinë financiare.
Ato subjekte që nuk ofrojnë njerëz të rinj, zgjedhjet vendore 2009 do t’i dëshpërojnë
Me gjithë këto defekte që do të lënë pasoja të mëdha për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, Kosova ka hyrë në mënyrë të heshtur në fushatën parazgjedhore për Zgjedhjet vendore 2009.
Çështja e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime mbetet një sfidë e madhe veçantë për institucionet, për Kosovën paraqet çështjen e domosdoshme të mbajtjes së Zgjedhjeve nacionale, menjëherë pas atyre vendore. Nga përvoja e pjesëmarrjes aktive në fushatat zgjedhore të viteve të kaluara si dhe duke marrë parasysh ”kulturën politike” të atyre që na ”përfaqësuan” tash e dhjetë vjet, qytetari i Kosovës, zgjedhësi, mund të bëjë atë që nuk e bënë deri më sot as institucionet qendrore e as ligjet e miratuara apo ato që presin nëpër sirtare zyrash të qeveritarëve apo parlamentarëve.
Meqë debati për vendosjen e kamerave në vendvotime rezultoi negativ, mundësia e keqpërdorimit të votës mbetet çështje që krijon hapësirë edhe për mospjesëmarrje në zgjedhje të qytetarëve që tashmë janë lodhur nga të njëjtit njerëz, ata të cilët në ciklin e politikës dhjetëvjeçare, vetëm se kanë ndërruar pozicionet e karriget si dhe kanë ngritur mirëqenien shumëfish krahasuar bie fjala kur kanë hyrë në politikë. Se si ka ndodhur ajo ngritje dhe ai ”përparim”, këtë tashmë e di opinioni!
Ajo që Qeveria nuk e ka bërë ende dhe EULEX heshtë, pra Ligji mbi deklarimin e pasurisë së zyrtarëve si dhe prejardhja e saj, në prag të zgjedhjeve vendore, do të mund të bëhej nga qytetarët dhe anëtarët e simpatizantët e subjekteve politike. Nga komentet e bëra në një opinion të botuar para pak kohësh, një lexues të cilit i falënderohem shumë, ka deklaruar se Kosova është e vogël dhe secili njihet mes vete, madje njihen edhe ata që kanë bërë një metamorfozë ekstravagante ndryshimi të jetës e pasurisë.
Prandaj, qytetari apo anëtari i një subjekti politik, kur pranon të marr pjesë në një fushatë zgjedhore, kur ia merr mendja se do të mund të dëgjojë një kandidat për kryetar komune apo kandidat për këshilltar komunal, ai do të duhej të shkojë në tubim i përgatitur, me guxim moral e njerëzor dhe të ushtrojë të drejtën për të pyetur, për të debatuar.
Paramendoni nëse kandidatëve të lartpërmendur do t’u bëheshin sinqerisht disa nga këto interesime; Zotëri kandidat për këshilltar apo kryetar, pse jeni kandiduar ju?! Çfarë keni bërë për ne qytetarët gjatë gjithë këtyre dhjetë viteve duke shëtitur në funksione e pozita politike, sa herë na keni takuar gjatë kësaj kohe dhe cilat janë disa nga ato brenga tonat që i keni trasuar në qeveri lokale a qendrore apo në kuvendin e komunës apo parlament, përveç shtëpisë që keni si arritët të pajiseni edhe me banesë, veturë dhe privilegje që nuk i ke pasur para dhjetë vjetësh, a mendoni se ndonjë kandidat i ri dhe me biografi më të kthjelltë do të duhej qenë në vend tëndin, a mendoni se keni abuzuar me votën e besimin tonë dhe pse, si është e mundur që djali juaj të vozitë vetura të shtrenjta, pse vajza juaj ka mundësi të studiojë jashtë shtetit e ne nuk mund të marrim viza për të vizituar as të afërmit, sa tenderë i ke dhënë kësaj a asaj kompanie dhe pse duke ditur se punët nuk janë kryer kurr si duhet, etj...etj...?!
Shpreh besimin e plotë se dhjetë vjet të kësaj klase politike që po udhëheqë vendin, ka treguar një stërkeqje të madhe në politikë dhe jetë përgjithësisht. Kjo sidomos prej vdekjes së Presidenti historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Prandaj ndryshimet cilësore që do të ofrojnë subjektet politike, mund të krijojnë ofertë kreative dhe serioze e cila do ti bënte zgjedhësit ta ushtrojnë të drejtën e votës. Në të kundërtën, secili subjekt politik që proklamon politikë ndryshimesh e në fakt ofron të njëjtin program e të njëjtit njerëz, ka rrezik të dëshpërohet. Fundja, qytetarët duhet ta kuptojnë se ndarja e partive politike me traditë demokratike, siç ishte ajo e LDK-së me LDD-në, apo edhe “ndarja” e bashkëpunëtorëve të deridjeshëm është bërë veç për shkak të interesave e tenderëve dhe jo për shkak të përparimit të partisë apo shtetit!
Hapësirë për të rinjtë, përgjegjësi për ata të vjerit që e lanë shtetin të papërfunduar
Ka ardhur koha e politikës racionale e kreative dhe profesionale. Guximi qytetar për të pyetur e kërkuar përgjegjësi duhet të vijë në shprehje tashmë, sepse besoj që MJAFT është bërë duke votuar bllanko e me simpati për emra a mbiemra. Kam besim se kështu do të hapej një debat i mirëfilltë që do të ndikonte në demokratizimin e vet subjekteve politike, para së gjithash të institucioneve dhe shtetit të Kosovës. Pyetjet, kërkesat, përgjegjësia nga qytetari do të bënin që shumë të ashtuquajtur politikanë aktual të mos kanë guxim të dalin në foltore pavarësisht se ata që deri më tash kanë treguar veten se kush janë, “janë pajtuar me marren dhe gjynahet”, siç thonë qytetarët!
Subjektet politike të Kosovës, gjatë fushatës parazgjedhore e zgjedhore, klithin për krijimin e hapësirës për të rinjtë, ata me pafytyrë gënjejnë se si akëcilës parti po u bashkohen të rinj, ekspertë e nuk e di çfarë profilesh të reja dalin gjatë fushatës. Por kur të njëjtit njerëz që udhëhoqën tash e dhjetë vjet Kosovën vijnë në pushtet, ata harrojnë të rinjtë, ekspertët dhe sovranin që i votoi. Ata harrojnë edhe ata që vrapuan e rrezikuan madje edhe jetën për kryetarin, këshilltarin, deputetin...kjo sepse ata kur hipin në karrige, “ç’syzohen” dhe zhvishen komplet nga ndjenjat njerëzore.
Në një tubim të mbajtur në Llap para më se dhjetë vjetësh, intelektuali dhe veprimtari unikat i shqiptarëve, dr. Sabri Hamiti pati thënë se ”nëse ju thotë dikush se punon për shtet e jo për pushtet mos i besoni! Nëse ju thotë dikush që do të krijojë drejtësi sociale dhe pa asnjë ditë pune ndërton shtëpi personale njëmijë metrash katrorë, mos i besoni. Kështu mund të ndërtohet vetëm me pasuri të rrëmbyer”, pati deklaruar Hamiti. Ky pohim, sot fiton një dimension të ri dhe qytetarët duhet ta dinë se ky pohim tash e dhjetë vjet mbetet aktual.
Para këtyre zgjedhjeve, sidomos para pjesëmarrjes së qytetarëve në takime që tashmë kanë nisur të vezullojnë stereotipe aq bajate, çdo qytetar dhe veprimtar politik i akëcilës parti politike, do të duhej të përgatitej thellësisht për të parashtruar pyetje, për të hapur debate ose për të kërkuar përgjegjësi dhe bilance a raporte pune të secilit që ka pak kurajë të dalë në foltore e të nisë premtimet prej papagalli injorant. Keni shembullin e kryeministrit të Kosovës i cili gjatë fushatës pati grumbulluar shumë ekspertë të rinj fushash të ndryshme, por të cilët nuk shihen më. Apo çfarë ishte ai program zhvillimor ekonomik që PDK-së ia kishte bërë profesori çifut, por që kurrë nuk u pa të ketë rezultuar në interes të qytetarit?!
Është koha e asaj kulturës politike qytetare që Dr. Rugova pati krijuar dhe pas tij e zhbënë të tjerët. Vota nënkupton përgjegjësi dhe jo privilegj. Politikanë e profile “ekspertësh” të deri sotëm, si duket janë shpenzuar ndjeshëm sepse në rrugëtimin e tyre dhjetëvjeçar, ata kanë përpi “bostanin” dhe nga lezeti dhe ëmbëlsia nuk e dinë se çfarë ndodhë në shtëpinë e vet a të fqinjit dhe lëre më të krijojnë politika kombëtare a ndërkombëtare!
Në ditët në vijim, qytetarët e Kosovës, do ta dinë se kush do të ofrojë njerëz e profile dhe për çfarë, programe të reja zhvillimi me njerëz të rinj, apo njerëz të vjetër dhe agoni e “shtetit të papërfunduar”! Ditët që po vijnë, zgjedhësit e lodhur të Kosovës do të shohin qartë se kush do t’i ofrojë elektoratit kosovar profilin e një përfaqësuesi politik të dinjitetshëm, si dhe a a do të mbetet shteti peng i politikëbërësve të shpenzuar e stërkequr nga korrupsioni, për të mos thënë politikanë të vdekur moralisht....!


