Please enter at least 3 characters.

700 doza droge gati për shitje në Vlorë, arrestohen 5 persona mes tyre dy italianë

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “WEST”, në kuadër të goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë 5 persona, mes tyre edhe dy shtetas italianë.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e shërbimeve operacionale, pas sigurimit të informacioneve operative për disa persona që dyshohej se transportonin dhe shpërndanin drogë në qytetin e Vlorës.

Në pranga ranë shtetasit N. K., 20 vjeç, R. H., 20 vjeç, M. M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë, si dhe shtetasit italianë C. L., 42 vjeç, banues në Romë, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo.

Sipas Policisë, pesë personat u ndaluan në zonën e Zvërnecit. Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit që përdornin dhe të banesës ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, përfshirë “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, kokainë, ekstazi dhe kanabis.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar se ishte përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe 8 aparate celularë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e arrestuar shpërndanin lëndët narkotike në ambiente të ndryshme, përfshirë plazhe dhe lokale të zonës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /Euronews/