Please enter at least 3 characters.

7 njehsorë pa afat, KEDS gjobitet me 40 mijë euro

Është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku është prezantuar edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030, si dhe janë diskutuar masat për mbikëqyrjen e tregut.

Në këtë takim janë prezantuar edhe informata lidhur me aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.

Sipas njoftimit, procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë për konsumatorët që kanë paraqitur ankesa po vazhdon.

“Vlen të theksohet se po vazhdon procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi", thuhet në njoftim.

Raportet e laboratorit janë proceduar për masa ligjore dhe gjoba ndaj KEDS-it.

“Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh,” theksohet në komunikatë.

Në mbledhje është diskutuar edhe për kompensimin e dëmeve ndaj konsumatorëve.

“Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit gjithashtu ka diskutuar për adresimin sa më të shpejtë të rasteve dhe mënyrat e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve,” thuhet më tej.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka theksuar se gjatë tre muajve të fundit janë ndërmarrë masa proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit gjatë tre muajve të fundit ka ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve", thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas ministrisë, është rritur edhe numri i ankesave të qytetarëve.

“Si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve konsiderohet edhe rritja prej 35% e numrit të ankesave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", përfundon njoftimi. /Telegrafi/