63-vjeçari nga Forina i raportuar i zhdukur, gjendet i vdekur në Vrapçisht
Një 63 vjeçar nga fshati Forinë e Gostivarit i cili mbrëmë është raportuar si i zhdukur, është gjetur i vdekur.
Policia, zjarrfikësit dhe banorët kërkuan gjatë gjithë natës, pasi u raportua se i njejti kishte humbur në ora 21:30, dhe nuk ishte kthyer në shtëpi.
Burri punonte si bari në një stan në rrethinën e Vrapçishtit, për shkak të së cilës menjëherë ishte organizuar kërkim në terren në rajonin më të gjerë.
Në aksion morën pjesë zyrtarë policorë, zjarrfikës nga Gostivari, si dhe qytetarë që u përfshinë në përpjekjen për ta gjetur personin e zhdukur.
Pas pothuajse 9 orësh kërkim, mëngjesin e sotëm rreth orës 6, 63-vjeçari u gjet pa shenja jete në territorin e Vrapçishtit, pranë një rruge që aktualisht po ndërtohet nga kompani private.
Në vendngjarje mbërriti ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, ku mjeku konstatoi vdekjen. Trupi është dorëzuar për obduksion për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.


