255 mijë euro për banim të dinjitetshëm për familjet në nevojë në Shtime
Nëntë familje në nevojë në Komunën e Shtimes do të përfitojnë nga një projekt për përmirësimin e kushteve të banimit, me vlerë totale prej 255 mijë eurosh.
Në Shtime ka qëndruar ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila është pritur nga kryetari i Komunës, Qemajl Aliu. Gjatë vizitës është nënshkruar dokumenti që i hap rrugë realizimit të projektit për banim adekuat.
Sipas Komunës së Shtimes, pas përfundimit të thirrjes publike janë përzgjedhur nëntë familje përfituese. Prej tyre, tetë familje do të përfitojnë renovimin e shtëpive, ndërsa një familje do të përfitojë rindërtimin e shtëpisë.
Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, tha se implementimi i projektit pritet të nisë së shpejti.
“Shumë shpejt pritet të fillojë implementimi i këtij projekti, i cili do t’u mundësojë familjeve në nevojë kushte më të mira dhe më të dinjitetshme jetese. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Aliu.
Ai falënderoi ministren Pacolli dhe Qeverinë për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.
“Falënderoj Ministren Fitore Pacolli dhe Qeverinë Kurti për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Komunës së Shtimes. Së bashku, po i kthejmë projektet në realitet”, tha Aliu.
Vlera totale e projektit është 255 mijë euro. /Telegrafi/


