2 milionë euro për diasporën para zgjedhjeve, paralajmërohet polarizim në fushatë
Ndarja e 2 milionë eurove për “Mbështetjen e Mërgatës” vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit ka nxitur reagime dhe dilema lidhur me ndikimin e mundshëm elektoral të kësaj mase.
Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se koha e marrjes së vendimit dhe mënyra e promovimit të tij mund të krijojnë perceptim për përdorim të fondeve publike në funksion të fushatës zgjedhore.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, në një prononcim për Telegrafi, ka vlerësuar se koha e marrjes së vendimit ngre dilema serioze për motivin dhe efektin e tij në procesin zgjedhor.
“Ndarja e 2 milionë eurove për “Mbështetjen e Mërgatës” vetëm pak ditë para zgjedhjeve ngre dilema serioze për kohën dhe motivin e këtij vendimi. Diaspora meriton mbështetje institucionale dhe politika afatgjata, por kur masa të tilla ndërmerren gjatë fushatës zgjedhore, krijohet përshtypja se resurset publike po përdoren për përfitim elektoral. Në demokraci, nuk është problem vetëm ligjshmëria e një vendimi, por edhe perceptimi publik për barazinë dhe ndershmërinë e garës”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se edhe subvencionimi i biletave të fluturimit për diasporën mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sjelljen elektorale.
“Po, masa të tilla mund të kenë ndikim elektoral, sidomos kur lidhen drejtpërdrejt me një kategori qytetarësh që ka peshë në procesin zgjedhor. Subvencionimi i biletave mund të shihet si lehtësim praktik për pjesëmarrje në votim, por njëkohësisht edhe si tentativë për të krijuar favore politike tek votuesit e diasporës. Kjo bëhet edhe më sensitive kur ndodh gjatë fushatës dhe jo si pjesë e një politike të planifikuar dhe të qëndrueshme shtetërore”, deklaroi ai.
Sipas Krasniqit, rreziku që kjo masë të perceptohet si avantazh politik është i lartë, veçanërisht duke pasur parasysh peshën e diasporës në zgjedhje.
“Rreziku i këtij perceptimi është i lartë. Në shumë raste, përdorimi i buxhetit publik gjatë periudhës zgjedhore shihet si formë e avantazhit të pushtetit ndaj kundërshtarëve politikë. Edhe nëse vendimi formalizohet si politikë sociale apo mbështetje për mërgatën, momenti i shpalljes dhe mënyra e promovimit publik mund ta kthejnë atë në instrument politik”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se, duke marrë parasysh mbështetjen tradicionale të Lëvizjes Vetëvendosje në diasporë, masa mund të interpretohet edhe politikisht.
“Për më tepër, kur dihet se Lëvizja Vetëvendosje tradicionalisht gëzon mbështetje më të madhe në mesin e votuesve të diasporës, kjo masë mund të interpretohet jo vetëm si lehtësim i pjesëmarrjes në votim, por edhe si përpjekje për të përcjellë mesazhin politik se qeveria po kujdeset në mënyrë të veçantë për këtë kategori të elektoratit. Kjo e bën edhe më problematik perceptimin e përdorimit të fondeve publike për qëllime elektorale gjatë një gare që duhet të jetë e barabartë për të gjithë subjektet politike”, u shpreh ai.
Duke folur për fushatën, Krasniqi tha se ajo pritet të jetë e ashpër dhe me polarizim të lartë politik.
“Fushata pritet të jetë e ashpër, me shumë polarizim dhe retorikë emocionale. Deri tani kemi parë më shumë sulme politike, etiketime dhe përplasje personale sesa debat për programe konkrete. Shqetësuese mbetet edhe përdorimi i gjuhës denigruese dhe incidenteve të tensionuara në terren, që e ulin nivelin demokratik të garës”, tha ai.
Krasniqi theksoi se pritet që rrjetet sociale dhe përdorimi i teknologjisë, përfshirë përmbajtjet e manipuluara apo dezinformuese, të kenë rol shumë më të madh se në zgjedhjet e kaluara.
“Po ashtu, gara po bëhet gjithnjë e më e pabarabartë, pasi partia në pushtet po përdor buxhetin e shtetit për të krijuar favore elektorale. Më herët pamë rritje të shtesave për kategori të ndryshme sociale dhe lehonat, ndërsa tani kemi subvencionimin për diasporën. Problemi nuk është mbështetja për këto kategori në vetvete, por fakti që vendime të tilla po merren pikërisht gjatë fushatës zgjedhore, duke krijuar dyshime të forta se po përdoren si mekanizëm për blerje të votës. Dhe duke parë këtë trend, nesër mund të kemi edhe masa të tjera populiste që synojnë ndikimin e procesit zgjedhor me para publike”, u shpreh Krasniqi.
Ndërkohë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafi, ka kritikuar ashpër gjendjen politike në vend dhe mënyrën se si, sipas tij, po funksionon sistemi politik.
“Lidhen me një botëkuptim çka po ndodh në politikën kosovare në këto gjashtë vitet e fundit, pra kur paaftësia e një shoqërie respektivisht në këtë rast e një qeverie shndërrohet në vlerë atëherë rezultati është se marrëzia bëhet realitet kjo po ndodh në Kosovë pra kështu e kisha përshkru krejt këtë katrahurë politike që po ndodh në spektrin kosovar”, deklaroi Arifi.
Ai shtoi se problemi është edhe në nivelin e elitave politike dhe mënyrën e të kuptuarit të pushtetit.
“Problemet janë të disa niveleve e para që elita politike ka dështuar totalisht në botëkuptimin se për çka është politika e për çka është pushteti kujt duhet t’i shërbejnë e për çka t’i shërbejnë, e dyta elita politike shqiptare dështim total, servilosja është bërë vlerë intelektuale dhe e treta për fat të keq as nuk perceptohet më si dështim apo manipulim”, tha Arifi.
Ai shtoi se diaspora, sipas tij, shpesh po përfshihet në mënyrë të gabuar në proceset politike.
“Diaspora në këtë rast për fat të keq po manipulohet me vetëdëshirë pra ata janë njerëz të pjekur, problemi nuk është se kë e votojnë diaspora problemi është se pse standardin e njëjtë që e jetojnë në Zvicër, Austri, Gjermani e Angli nuk e sjellin edhe në Kosovë”, u shpreh ai.
Në fund, Arifi theksoi nevojën për mbrojtje të parimeve në jetën publike.
“Unë mendoj se kjo është ajo që ne si shoqëri duhet të luftojmë pra për parime pavarësisht, kush është çka ka bërë nëse e ka shkel një parim nuk duhet ta aprovojmë”, përfundoi ai.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 "Mbështetja e Mërgatës". Këto mjete financiare nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike janë dedikuar për të mbështetur linjat ajrore dhe biletat e fluturimit për destinacionet që shërbejnë diasporën. /Telegrafi/


