Please enter at least 3 characters.

“1928 - Rexhep Rakovica, Portrete”, ekspozita që rikthen në vëmendje kujtesën fotografike të Prishtinës së para një shekulli

Një pjesë e rrallë e historisë vizuale të Prishtinës është rikthyer në vëmendje përmes ekspozitës “1928 – Rexhep Rakovica, Portrete”, e cila sjell para publikut një përzgjedhje të fotografive të realizuara nga fotografi pasionant prishtinas, Rexhep Rakovica.

Ekspozita, me të cilën shënohet hapja e galerisë, paraqet portrete individuale, familjare dhe grupore të realizuara nga Rakovica, i cili nisi të merrej me fotografinë në vitin 1928. Përmes këtyre imazheve, publiku ka mundësi të shohë jo vetëm fytyrat e njerëzve të asaj kohe, por edhe një pjesë të mënyrës së jetesës dhe kujtesës së Prishtinës së hershme.

Për Telegrafin ka folur Enver Rakovica, djali i fotografit Rexhep Rakovica, i cili e konsideron ekspozitën një mundësi të veçantë për të parë nga afër një periudhë që i takon gati një shekulli më parë.

“Ka kaluar gati një shekull prej shkrepjes së parë të aparatit të Rexhepit dhe është interesante se si i ka vendosur ata njerëz aq bukur. Sot, po të duam të bëjmë një fotografi, e bëjmë menjëherë. Këto janë fotografi të punuara dhe të rregulluara bukur”, tha Rakovica.

Enver Rakovica (Foto: Telegrafi)

Sipas tij, një nga elementet që bie më shumë në sy në këto fotografi është mënyra se si njerëzit janë pozicionuar para aparatit. Në shumicën e rasteve, ata shfaqen të përqendruar drejtpërdrejt te kamera, duke krijuar portrete që edhe sot ruajnë një fuqi të veçantë dokumentuese.

“Vetë fotografitë flasin. Unë nuk do të mund të thosha më tepër sesa ju që i shihni dhe mundoheni të nxirrni diçka prej tyre”, u shpreh ai.

Enver Rakovica foli edhe për aparatin me të cilin janë realizuar fotografitë, duke theksuar se bëhej fjalë për një aparat të prodhuar në atë periudhë, përdorimi i të cilit kërkonte njohuri dhe përvojë.

“Fotoaparati është i njëjti, i prodhuar në atë periudhë. Për atë kohë, të kishe një aparat të tillë ishte problem. Ishin aparate manuale, ku edhe ndriçimin mund ta rregulloje mekanikisht, ndërsa mund të rregulloje edhe prapavijën”, shpjegoi ai.

Pikërisht këto detaje, sipas tij, e bëjnë më të veçantë punën e fotografëve të asaj kohe. Ndryshe nga sot, kur teknologjia ka bërë që pothuajse secili që posedon një telefon të mund të fotografojë, në atë kohë fotografia kërkonte pajisje, njohuri dhe një përgatitje të veçantë.

“Tash secili që ka telefon është fotograf. Në atë kohë, vetëm ai që kishte aparat ishte fotograf”, tha Rakovica.

Ai theksoi edhe rëndësinë e mënyrës se si Rexhep Rakovica i udhëzonte njerëzit para objektivit, duke përcaktuar pozicionin, shikimin dhe qëndrimin e tyre.

“Mirë kishte qenë të vijnë njerëzit t’i shohin, të shohin se si është bërë fotografia, si janë rregulluar personalitetet, si i ka udhëzuar – si të qeshin, si të mos qeshin, si të mendojnë”, tha ai.

Ekspozita “1928 – Rexhep Rakovica, Portrete” përbën kështu jo vetëm një prezantim të trashëgimisë së një fotografi, por edhe një udhëtim në kujtesën e Prishtinës së asaj kohe.

Përmes portreteve të ruajtura ndër vite, ekspozita sjell para publikut njerëz, familje dhe momente që kanë mbetur të fiksuara në kohë, duke krijuar një dëshmi të rrallë të jetës së qytetit.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri në fund të muajit, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të shohin nga afër fotografitë e realizuara nga Rexhep Rakovica dhe të njihen me mënyrën se si punohej me fotografinë pothuajse një shekull më parë. /Telegrafi/

true