LAJMI I FUNDIT:

Amerika që frymëzon kthehet në votrën e saj

Amerika që frymëzon kthehet në votrën e saj
Ilustrim

Stuhia e rrezikshme katërvjeçare në vendin tonë kaloi! Nji ditë e re ka ague! Amerika që frymëzon botën mbarë u kthye në votrën e saj. Demokracia amerikane tregoi forcën e saj, e fitoi! Me 3 nandor 2020, u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Pjesëmarrja në votime ka thye rekordin: ma shumë se 160 milionë qytetarë amerikanë votues treguen vullnetin e tyne në nji proces të rregullt, atmosferë të lirë dhe administrim me ndershmëni. Amerika ka 330 milionë banorë.

Amerika që na frymëzon, tregoi forcën e saj në mënyrë shembullore!

Mbas disa ditë votimesh u përfundue se numri ma i madh i votave të rregullta,- ma shumë se 78.6 milionë vota- u fituen nga kandidati presidencial demokrat, i nderuemi Joseph R. Biden, Jr., ish-nënpresident i Shteteve të Bashkueme (2008-2016) dhe politikan i karrierës për afër 47 vjet dhe me 6+ milionë vota ma shumë se kundërshtari i tij, Presidenti Trump, që fitoi 72.01 milionë. Kandidati Biden grumbulloi 306 vota në Kolegjin Elektoral kundrejt 232 vota për kundërshtarin Trump. “Presidenti” D.J.Trump nuk pranoi rezultatet e dhanuna dhe filloi nji seri ankimimesh ligjore pranë gjykatave federale të vendit, nji procedurë që do të zgjasë disa javë dhe që pengon “tranzicionin” e pushtetit në duert e fitimtarit.


Ky qëndrim obstruksionist ashtë i panjohun në historinë e republikës amerikane që nga fillimi, 244 vite ma parë, dhe damton randë prestigjin e votës së lirë dhe imazhin e SHBA-ve para botës. Publiku amerikan ashtë i bindun në fitoren finale dhe e konsideron këte manovër politike nji metodë vonuese e kapriçove të shumta të ishPresidentit Trump, nji narcisist i papërmbajtun, pa lidhje me normat tradicionale të vendit. Deri tashti, ish-Presidenti Trump nuk ka paraqitë nji evidencë me mbrojtë tezën e vet. Pa nji evidencë të tillë, nuk ka gjykime. Si rrjedhim, gjykatat amerikane konsiderojnë ankimimet “without merit”!

Ky qëndrim paraqitet nga shtypi trumpist sikur “votimet nuk kanë përfundue akoma”, se ata do të përfundojnë me ankimimet ligjore, prandej nuk dorëzohet pushteti. Të tjerë flasin për zgjedhje të qeta me gjithë vështirësitë e pandemisë vrastare (250.000 viktima), pa kërcënime, pa dhunë dhe pa pengesa për makinën e demokracisë. Në rrugët dhe sheshet e qyteteve amerikane ndërkaq, populli festoi rezultatin “Biden-Harris Victory” me flamuj, kumbonë dhe klaksone makinash. Nji popull feston!

Fletorja me renome ndërkombëtare “The New York Times”, në edicionin e saj të 8 nandorit 2020 shkruen me tituj të mëdhej: “Biden Beats Trump”, me këtë përshkrim: “Joseph Robinnette Biden Jr. u zgjodh Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkueme, të shtundën, tue premtue restaurimin e normalitetit dhe frymën e bashkimit kombëtar në përballjen e krizave shëndetësore dhe ekonomike, që tmerrojnë sot vendin…”.

Fitorja e Biden shikohet si përbuzja e Trump nga miliona votues të lodhun nga politika e tij përçarëse dhe administrata e tij kaotike, fitore që u ba e mundshme nga nji koalicion i grave, qytetarëve me ngjyrë, pleq dhe të ri, si dhe nji sasi republikanësh të lodhun nga Presidenti.

Me 13 nandor, shtypi amerikan njoftoi se zyrtarët e administrimit të votimeve, demokratë dhe republikanë, hodhën poshtë akuzat e ish-Presidentit Trump për vota “të vjedhuna” dhe “numërime jo të sakta”. Vetëm pak orë mbas votimeve, Trump përsëriti akuzat e tij tue thanë se nji sistem makinash i perdorun në votime “ka shlye 2.7 milionë vota në të gjithë vendin”; kështu ai kundërshtoi grupin e zyrtarëve federalë, të cilët lëshuen nji deklaratë të enjten, me 12 nandor, ku deklarojnë pa asnji rezervë se votimet “kanë qenë ma të sigurtat në historinë amerikane” dhe se “nuk ekziston nji evidencë” se ndonji sistem votimesh të ketë qenë komprometue.

“Që nga dita e shtunde në mëngjes, kur kandidati demokrat Biden u deklarue si fitues i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ish-Presidenti Donald Trump ashtë mbyllë në Shtëpinë e Bardhë, refuzon ma pranue disfatën, mbledh të holla për “nji forcë për mbrojtjen e zgjedhjeve”, dhe shpik komplote të imagjinueme e teori mbi “vjedhjen” e votave të partizanëve të tij. Nuk parashikohej si do të veprojshin ndjekësit e tij në 50 shtetet e federatës. Doli në shesh se ata vepruen njilloj si kanë veprue deri tashti për katër vite të gjata me radhë: tue përkrahë ate në rrugën e gabueme. Deri në nji pikë!

Me 13 nandor, ish-Presidenti Trump mbajti nji konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me aksionin anti-Covid. Ai nuk zuni me gojë votimet dhe indirekt iu referue administratës së ardhme, tue lanë me kuptue se nji tjetër fitues do të jetë President. Qartazi, pushteti po kalon qetësisht në duert e Presidentit të zgjedhun, zhvillim që edhe Z. Trump ma në fund e ka kuptue.

Rezultati i votimeve tregoi se zgjedhja e Senatorit nga California, Zonja Kamala Harris, ashtë me randësi historike: bijë e nji çifti me nanën nga India dhe babën nga Jamaica. Mbas zgjedhjes historike të ish-Presidentit Barack Obama, 2008, zgjedhja e Zonjës Kamala Harris si nënpresidente e SHBA-së ashtë fitorja e dytë madhore e demokracisë amerikane dhe nji provë e pakontestueshme e të ashtuqujtunit “exceptionalism”- Amerika vendi i oportunitetit për të gjithë. Ashtë e para herë që nji grue me ngjyrë zgjidhet nënpresidente e SHBA-së, nji hap i madh drejt nji shoqënie ma civile dhe ma demokratike. (Ashtë opinion i përgjithshëm se Biden do të udhëheqë Partinë Demokratike nga pozita ma ideologjike – nga nji qendër e majtë…).

Por Biden ka mbajt gjithherë nji pozicion afrimi, bashkimi dhe pajtimi, nji karakteristikë e posaçme e tij që në ditët e para të jetës së vet politike. “Tashti që fushata elektorale ashtë perfundue, theksoi ai, ka ardhë koha me harrue inatet tona dhe retorikën e ashpër, dhe me u bashkue si nji komb i pandamë. Ka ardhë koha për Amerikën me u bashkue dhe me shërue plagët e hapuna. Na jemi të gjithë Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Dhe nuk ka objektiv që nuk mund të marrim dhe të marrim së bashku”. (Joseph R. Biden, Jr.)

Z.Trump, në deklaratën e tij tha se “…nuk janë përfundue zgjedhjet, përkundrazi, dhe se “…do të filloj ndjekjen e objektivave tona në gjykata”. Ai nuk dha hollësina! Por me refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve, Trump duket se u ban thirrje ndjekësve të tij me “vallëzue dancing” e mosmarrëveshjes dhe pa dyshim ka mjaft që do të pranojnë! Ka pasë disa incidente me dhunë nga “trumpistët” e demonstrata të zhurmëshme, deri tashti pa incidente. Shumë amerikanë shqetësohen se këto “mosmarrëveshje” nuk kanë vetëm karakter politik, por edhe personal, në relacionet ndërqytetare. Fatkeqësisht, ky orientim ka damtue edhe unitetin e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Nji humbje e madhe për të gjithë!

Partia Republikane -tashti “the Trump Party”- ka humbë shumë nga prestigji i saj si “Partia e Lincoln-it”, mbajtëse e vlerave dhe traditave amerikane, si atdhetarizmi, feja, trashëgimi patriotik, konservatizmi politik, ekonomik dhe shoqënor në mes tjerash, dhe për katër vite ajo u paraqit si nji grumbull amorf qytetarësh statikë dhe të gatshëm me avancue “tezën” trumpiste. Me humbjet në votimet e 3 nandorit 2020, PR e Amerikës asht tronditë. Zane të reja thrrasin për nji “rinovamento” të pikëpamjeve politike dhe të kuadrova për drejtim.

Nuk duhet të harrojmë se republikanët kanë fitue 72 miljonë vota, dhe 7 deputetë në Dhomën e Përfaqësuesve; ata kanë humbë nji senator (në Arizona). Kjo tregon se ajo përmban nji forcë të vërtetë politike dhe ushqen shpresën e nji kthimi në fuqi në të ardhmen si nji parti e rinovueme.

Elektorati amerikan përballet me dy sfida madhore:

a) Si të veprojë për asgjasimin e influencës së “Trump Party” në publik, e sidomos racizmin e tij malinj dhe sistematik; dhe

b) Çfarë mund të bahet me pengue ardhjen e nji “Trumpi” të ri në të ardhmen?

Me gjithë gabimet e mëdha në qeverisjen e ish-Presidentit Trump, nuk mund të veprohet me frymën e hakmarrjes. “Republikanët”, përfundimisht, janë bashkatdhetarë që mendojnë ndryshe, nji qendrim që garantohet nga Kushtetuta si e drejtë e mendimit dhe veprimit të lirë. Fajtori kryesor ashtë qytetari Donald J.Trump, i cili mashtroi masat me nji propagandë populiste, negative dhe anmiqsore. Gjendja e randë që trashëgojmë sot ashtë ma e randë se “fatkeqësia Trump”. Sepse edhe humbja ka pasoja nga ata që kapen mbas premtimeve të tij.

Afërsisht 40 përqind e votuesve amerikanë dëshirojnë mbajtjen e tarifave doganore dhe murit kufitar me pengue lëvizjen e lirë të mallnave dhe personave, emigrantë ilegalë në SHBA, tue përfshi edhe deportimin e tyne. Ashtë nji reagim popullor kundër “globalizmit” dhe emigracionit.

Të tjerë elementë negativë që republikanët përqafojnë janë: dallimet racore, sidomos popullsinë zezake, nji viktimë e persekutimit sistematik që nga shekulli 16, koha kur grabiteshin, burra, gra e fëmij, nga piratët amerikanë, transportoheshin të lidhun me zinxhirë në hambarët e vaporeve pirateske ku vdisshin me qindra, e shiteshin si skllevër në tregjet e shteteve jugore të Amerikës.

Humbja e vendeve të punës, sidomos në industri, ka dermue shoqëninë amerikane e klasën punëtore, që ka qenë vazhdimisht demokrate me sindikata të fuqishme. Shumë impiante industriale u larguen dhe u vendosën në Kinë e Meksikë kryesisht. Nuk ka dyshim se ish-Presidenti Trump fitoi më 2016 me votat e këtyne të papunësuemëve.

U krijue kështu nji atmosferë shqetësuese me vdekje fëmijësh, gra pa burra, vdekje nga alkoolizmi dhe nga droga. Emigrantët që punojshin në punët ma të vështira zunë vendet e pakëta si argatë të pakualifikuem. Globalizmi për mallna dhe persona ngriti zemërimin në shumicën e popullsisë. “Tregtia e lirë dhe globalizmi, shkruente Sarah Stockman, kanë pasunue vendin, por ky pasunim ka qenë në favor të kapitalit dhe të arsimuemëve, ndërsa damet e tyne ranë mbi shpatullat e amerikanëve të papunë”.

Shumë punëtorë të pakualifikuem kanë votue për ish-Presidentin Trump. Ata “adhurojnë” personin që vuni tarifat. Por nuk kanë qenë shumë nga ata punëtorë që kuptuen se Trump nuk ka qenë në anën e tyne. Edhe në vitin 2017, zbritja e taksave ndihmoi vetëm të pasunit dhe korporatat. Tani që ish-Presidenti Trump përpiqet me eliminue ligjin për shërbime mjekësore (the Affordable Care Act) të vendosun nga ish-Presidenti Obama e që mbulon mbi 21 milionë familje amerikane, ish-përkrahësit kuptuen cili ashtë në fakt ish-Presidenti Trump dhe votuen kundër tij.

Por “goditja vdekësore” për fushatën elektorale të Trump ka qenë paaftësia e plotë e tij me udhëheqë në luftën kundër pandemisë COVID19. Ai e fshehu rrezikun që vinte nga Kina që nga nandori 2019 deri në mars 2020, kur bashkëpunëtorët e tij e paralajmëruen se sëmundja paraqet rrezikun ma të madh për administratën e tij presidenciale. Ndërkaq, pandemia bani kërdinë në popullsi dhe numri i të vdekuneve arriti në 1.000 viktima në ditë. Ish-Presidenti Trump refuzoi me marrë masa drastike -ashtu si e gjithë bota e jashtme- refuzoi këshillat mjekësorë nga ekspertët mjekësorë dhe smundja u përhap. Të zhgënjyem nga ky zhvillim fatkeq, shumë amerikanë vendosën me votue kundër dhe “me u lirue” nga ky ankth. Por asgja nuk bindi ishPresidentin Trump se ky qëndrim i padeje dhe shumë i rrezikshëm do të sillte disfatën e tij… që ai akoma refuzon me pranue…!

Shkrime alarmuese njoftojnë se ish-Presidenti Trump po përgatitet për nji “coup d’etat”. Në fakt, ai pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, sepse refuzoi me nxjerrë trupat ushtarake për qetësimin e turmave në demonstrata masive në shumë qytete të Amerikës dhe e zëvendësoi atë me nji element besnik të ish–Presidentit, dhe persona që ai mendon se kontrollohen. Flitet që ai mendon me pushue nga detyra edhe shefin e FBI-së dhe CIA-së dhe me i zëvendsue me “lojalistë”. Simbas analistit Masha Gessen të revistës “The New Yorker”, Trump ban përpjekje me arrijtë nji “autocratic breakthrough” (nji hyrje në autokraci) dhe me diskreditue kështu rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i japin fund qeverisjes së tij. Shanset e tij me fitue janë shumë të vogla; megjithatë ashtë me randësi me kuptue si duhet se Presidenti i SHBA-së tenton nji “coup” që do të shkatërronte demokracinë amerikane, si e njohim na në historinë 244-vjeçare.

Dezertimet nga vija politike e ish-Presidentit nga republikanët në Kongres vijnë me pak vonesë. Kongresistët heshtën kur Trumpi abandonoi aleatët tonë ushtarakë në Azi e në Europë, sulmoi institucionet tona qeveritare dhe nxiti sentimentet raciste e frikën në popull, nji gabim fatal që ndau popullin amerikan… Sot ka shenja se kongresistët republikanë kanë arrijtë përfundimin se ish-Presidenti Trump ka pësue nji humbje të plotë në zgjedhjet e 3 nandorit dhe përpiqen të distancohen nga ai. Flitet për nji fëtyrë të re republikane që nuk ashtë ajo e Trumpit dhe për forcimin e identitetit të humbun republikan. Gjithashtu, flitet haptas se qarqet republikane me influencë punojnë intensivisht për rindërtimin e PR-së mbas humbjes.

Edhe marrëdhëniet me botën e jashtme do të pësojnë nji ndryshim rranjësor në epokën e Presidentit Joe Biden. Në nji ese prej 30 faqesh, botue në revistën “Foreign Affairs”, Nov/Dec. 2020:

“Pse Amerika Duhet Të Udhëheqë—Ripërtëritja e Politikës së Jashtme mbas Trumpit”, ai shkruen: “Sido që të matet, kredibiliteti dhe influenca e Shteteve të Bashkueme në botë ka pësue nji zbritje mbas largimit të Presidentit Obama nga zyra presidenciale, më 20 kallndor 2017. Presidenti Donald Trump ka pakësue peshën tonë, ka damtue dhe në disa raste ka abandonue aleatët dhe partnerët tonë. Ai ka ofendue profesionistët e shërbimeve informative, diplomatëve dhe forcave të armatosuna. Ai ka forcue kundërshtarët tonë dhe ka keqpërdorue mjetet tona në sfidat e sigurimit kombëtar që vijnë nga Koreja e Veriut, Irani, nga Siria deri në Afganistan dhe Venezuela, pa pasë asgja me tregue përse. Ka shpërthye lufta tregtarE kundër miqve të Shteteve të Bashkueme si dhe të anmiqve nji lloj, që damtojnë klasën e mesme amerikane. Åi ka heq dorë nga udhëheqja amerikane në mobilizimin e aksioneve kolektive me përballue kërcënime të reja, veçanërisht të atyne që janë unikë për shekullin tonë. Åi thellësisht ka neglizhue vlerat demokratike që i japin forcë kombit tonë e na bashkojnë të gjithë si nji popull.

Ndërkaq, sfidat globale që përballojnë Shtetet e Bashkueme -që nga ndryshimet klimaterike dhe emigracionet masive deri te ndërpremjet teknologjike dhe smundjet infektive-janë ngritë në nji kompleks dhe janë ba ma urgjente me ngritjen e shpejtë të autoritarianizmit, nacionalizmit dhe antiliberalizmit që minojnë aftësinë tonë me i përballue në forma kolektive. Demokracitë – të paralizueme nga hipërpartizania, të lëkunduna nga korrupsioni, të randueme nga pesha e pabarazisë- e gjejnë shumë të vështirë me mbajtë premtimet e dhanuna popujve tyne. Frika nga Tjetri ashtë rritë. Edhe sistemi ndërkombëtar që Shtetet e Bashkueme kanë ndertue me aq kujdes po shkyhet nga forcat përçarëse. Trumpi dhe demagogët rreth e rrotull botës mbështeten në këto forca për përfitime personale dhe politike….

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkueme do të flasë para të gjithë botës në kallndor 2021, dhe do të mbledhë copat e shpërndame që do të jetë nji ndërmarje enorme. Ai do të përpiqet me nxjerrë nga pozita ku kanë ra emnin tonë të mirë, me ndertue konfidencën në udhëheqjen tonë, me mobilizue vendin tonë dhe aleatët tonë për përballimin e shpejtë të sfidave të reja. Nuk do të kemi kohë me humbë…”(ff. 1,2) “…Menjiherë, na duhet të pajisemi me (ata) forca dhe të mbledhim Botën e Lirë me përballue sfidat që na dalin para sot. U takon Shteteve të Bashkueme me udhëheq. Nuk ka komb tjetër që ashtë ndërtue mbi këte ide. Na duhet me proklamue lirinë dhe demokracinë, me rifitue krediblittin tonë, me shikue me nji optimizëm të pandërpremë dhe me vendosmëni të ardhmen tonë”.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori