Ambasadorja gjermane: BE-ja e gatshme të asistojë

Duke komentuar situatën pas 8 majit, diplomatja gjermane u shpreh se ka ende paqartësi në lidhje me rezultatin. “Më shumë se tre javë kur janë mbyllur kutitë e votimit procesi për shpalljen e fituesit në bashkinë e Tiranës nuk është mbyllur. Situata mbetet ende e paqartë”, tha ambasadorja Müller-Holtkemper në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n.
Ajo apeloi gjithashtu për një vendimmarrje të pandikuar të Kolegjit Zgjedhor. “Unë mendoj se ka ardhur koha që Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, të marrë një vendim të vetin dhe shpresoj shumë, që ky vendim të merret brenda kuadrit ligjor ekzistues në Shqipëri. Të merret në mënyrë sa më transparente dhe i pandikuar politikisht”, nënvizoi ambasadorja.
Përfaqësuesja e Gjermanisë në Tiranën zyrtare përsëriti ndërkohë gadishmërinë e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar institucionet të zgjidhin çështjen. “E themi si komunitet ndërkombëtar, si Bashkim Europian se ofrojmë ndihmën tonë, konsulencën dhe asistencën tonë ligjore në qoftë se do të jetë e nevojshme. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë në rast se do të na kërkohet në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm. Por më lejoni të them që ky është një proces shqiptar dhe partitë politike duhet të bien dakord dhe të gjejnë konsensusin me njëra tjetrën”, tha zonja Müller-Holtkemper. /Telegrafi/












































