LAJMI I FUNDIT:

Albanët, dardanët dhe futbolli

Albanët, dardanët dhe futbolli

“E dua Serbinë, popullin serb, por jo edhe Kosovën”, deklaroi këto ditë, gjatë vizitës zyrtare në Beograd, një burrë shteti, presidenti i një vendi që e ka njohur Kosovën. Ku duhet kërkuar arsyet e kësaj deklarate, në politikë apo në sport? Apo tek pëlqimet? Por, me presidentin çek do të merremi më poshtë, kur të vijë radha për të folur për (keq)përdorimin e sportit nga politika, jo vetëm e huaj.

Po e fillojmë me limonët, luanët dhe “Dardanët”. “Nëse nga qielli bien limonë, bëjë limonadë”! Kështu thotë një fjalë e urtë, për të cilën veç një Zot e di se kush e ka thënë i pari. Sidoqoftë, merret si thënie që shpreh dominimin e arsyes së shëndoshë ndaj rrethanave të pavolitshme. Ne e dimë se i moçmi ka thënë ashtu, apo kështu, se ka lënë shumë fjalë dhe ka ikur. I moçmi është pa identitet, njeri me përvojë jetësore i cili ka folur “Live” nëpër oda, nuk ka shkruar statuse dhe nuk pretendon asnjëherë në të drejtat e autorit. Por, i moçmi nuk jetonte nga pëlqimet nëpër rrjete sociale. Diku kanë rënë limonët, ndërsa në shoqërinë tonë nga qielli bien vetëm fjalët. Kur nga qielli bien fjalët, atëherë bëj statuse! Çfarë të bësh tjetër me fjalët? Sot jetohet nga pëlqimet.


Nga pëlqimet jeton edhe politika e cila e veshur hyn në zhveshtore të lojtarëve kur ata fitojnë. Politika rreshtohet edhe në shkallët e stadiumeve duke “veshur” numrat e lojtarëve më të famshëm. Për pëlqime bëhen edhe komentet e tyre për fitoret e “Kombëtares”, për ekipin i cili nuk di të humb qoftë edhe kur vendi është buzë greminës. Sidomos në fushatë parazgjedhore.

Sidoqoftë, trajneri i Kosovës, kur erdhi nga një “kanton kosovar” në Zvicër, në Kosovë e gjeti familjen si institucion qendror dhe sipas modelit të saj e form(ës)oi edhe ekipin, pra Kombëtaren. Ai e kuptoi se në Kosovë funksionon vetëm familja. Shteti u përket disa familjeve. Nëpër institucione dhe në nëntokë. Gjithçka që është efektive e ka emrin e familjes. Shteti i takon familjeve, ekonomia i takon familjeve. Qytetari jashtë familjes nuk ekziston si institucion. Familja e jo qytetari është sovrani, në realitet. Kushtetuta thotë ndryshe. Por, Kushtetuta dhe Kushtetuesja janë temë tjetër. Edhe Ahtisaari dikur ishte “trajner” i politikës kosovare…!

“Në Kosovë familja është institucion”, tha zvicerani më i famshëm në Kosovë. “Nëse dikush në familje bën diçka të bukur, shfaqet një krenari. Ky mentalitet ka zënë rrënjë te lojtarët. Ekipi ynë duhet të jetë si një familje e vërtetë, ku të gjithë ndihmojnë”. Kështu tha, e kështu u bë. Gjeti familjen, bëri “Dardanët”.

E, familja tradicionale kosovare ka shumë anëtarë dhe në të rolin kryesor e luan… diaspora. Ah, diaspora jonë e cila verës merr aq shumë komente negative në rrjetet sociale dhe e cila sjell aq shumë para në këtë vendin në të cilin biznesi kryesor është politika.

Pra, diaspora jonë është krejtësisht e paarsyeshme. Ajo bëri që në Londër të dukej se “Dardanët” nuk janë mysafirë. Çfarë mund të thuhet në fakt për tifozët e “çmendur” të cilët nga djelmoshat kërkonin fitore edhe kur ata po humbnin me 5:3! “Duam fitore” kërkonin tifozët në një ndeshje epike, ku Davidi e Golijati i harruan rolet, ku po këmbenin golat pa e shikuar radhën, përparësinë, apo fuqinë. “E ku di fëmija”, do të thoshte i moçmi nëpër statuset e komentuesve profesionistë nëpër rrjetet tona sociale.

“Lions”, i quajti edhe kryeministri shqiptar, “Dardanët”, pas ndeshjes me Çekinë. Ai ka aktualisht dy tema: presidentin dhe “Dardanët”. Kur jemi te politika, këtë entuziazëm nuk e ndau me Edin, presidenti i Çekisë Milosh Zeman, i cili gjatë vizitës së tij në Beograd dha një deklaratë aspak “diplomatike”. E kujt i bënë nëse na do Zeman, apo jo? Kush humbë ka drejtë të hidhërohet. Edhe droni i presidentit nuk fluturoi mbi Prishtinë.

Përndryshe, “çka di fëmija” ishte statusi më emocional, i këtyre ditëve, e mund të jetë slogani i kësaj gjenerate, jo vetëm në sport. Kjo thënie e përditshme, dikur shprehte arsyetim për të gjitha sherret e fëmijëve, pa harruar se asokohe nën këtë term përfshiheshin edhe të rinjtë, por edhe gratë. Fëmijë mund të ishe jo vetëm me moshë, por edhe me nivelin e arsyetimit. E ku dinin shqiptarët çka është limonada asokohe? Asnjëherë nuk ranë nga qielli ynë, limonë. Te ne vetëm fjalët bien nga qielli.

Sidoqoftë, jeta ecën tutje. Debati do të vazhdojë ende, për Kombëtaren. Cila është Kombëtare e cila Përfaqësuese. Kush mund të luajë andej e kush këndej. Sidoqoftë, vëmendja e mediave globale është me fisin e “Dardanëve”. Albanët kanë mbetur jashtë mediave ndërkombëtare. Ata po luajnë arsyeshëm. Po humbasin kur duhet, kur pritet. “Dardanët” po sillen si fëmijët…!

A janë më të mirë në futboll fisi i dardanëve apo albanëve? Natyrisht, fiset dhe kombet janë në një raport historik. Në fillim ishte futbolli, ishin fiset, pastaj erdhën kombëtaret? Ky i fundit, nëse jo historik, është bërë gjithsesi një raport histerik.

Kombëtarja e Kosovës mund të forcohet edhe me ndonjë lojtar cilësor nga Shqipëria. Fundja, jemi një komb. Mjafton të merret shtetësia e Kosovës. Shtetësinë e jep presidenti! Le krejt…

E përse po ta zë rrugën presidenti duke pirë çaj në Japoni, mund të pyes dikush? Nuk ma zë, fare. Politika jonë mund të mësojë shumë nga etika japoneze…!