Aktori që luajti 'Stifler' nga "American Pie" iu desh të tregonte në gjykatë se sa fiton - fansat u befasuan me shifrat

Aktori Seann William Scott (48 vjeç), i cili u bë i famshëm me rolin legjendar të Stiflerit në filmin American Pie, ka zbuluar të ardhurat e tij mujore në mes të një procesi gjyqësor të tensionuar me ish-bashkëshorten Olivia Korenberg.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Us Weekly, Scott fiton rreth 110 mijë dollarë (94,800 euro) në muaj. Të ardhurat e tij përfshijnë 45 mijë dollarë (38.8 mijë euro) nga të drejtat autoriale dhe 31 mijë dollarë (26.7 milionë euro) nga dividentët dhe interesat. Përveç kësaj, ai ka 158 mijë dollarë (136 mijë euro) në llogari bankare, ndërsa pasuria e tij përfshin 12.2 milionë dollarë (10.5 milionë euro) në aksione dhe obligacione si dhe 18.7 milionë dollarë (16.1 milionë euro) në pasuri të paluajtshme, mes tyre tre shtëpi në Los Angeles.
Aktori zotëron gjithashtu një Honda Passport me vlerë 55 mijë dollarë (47,400 euro), një Mini Cooper prej 30 mijë dollarësh (25.800 euro), mobilie në vlerë prej 171 mijë dollarësh (147 mijë euro) dhe një koleksion arti të vlerësuar në 93 mijë dollarë (80,100 euro).

Megjithatë, edhe shpenzimet e tij janë të larta – pothuajse 60 mijë dollarë (51,750 euro) në muaj. Ai paguan rreth 15 mijë dollarë (12,937 euro) taksa për pronat, 5 mijë dollarë (4,312 euro) për riparime, 2 mijë (1,725 euro) për shpenzime komunale, 2,500 (2,156 euro) për ushqime, 1,500 (1,294 euro) për restorante, 500 (431 euro) për telefon, 1,500 (1,294 euro) për veshje, 1,500 (1,294 euro) për argëtim, si dhe 11 mijë (9,487 euro) për shpenzime të tjera. Vetëm për avokatët në procesin e divorcit, Scott ka deklaruar se ka shpenzuar mbi 500 mijë dollarë (431,248 euro).
Scott dhe Olivia Korenberg, dizajnerja e interierit, u martuan në vitin 2019 dhe u ndanë në vitin 2023. Në dokumentet gjyqësore arsyeja e ndarjes ishte përmendur si “mosmarrëveshje të pajtueshme”.
Edhe pse në maj të vitit 2024 përfundimisht zyrtarizuan divorcin dhe hoqën dorë nga alimentacioni bashkëshortor, mosmarrëveshjet nuk u ndalën. Korenberg e akuzoi aktorin se e kishte “befasuar” me shitjen e një shtëpie, gjë që sipas saj ishte hakmarrje për lidhjen e saj të re – pretendim që Scott e mohoi. Ajo kërkoi gjithashtu që gjykata të ndryshonte marrëveshjen e kujdestarisë së përbashkët mbi vajzën e tyre pesëvjeçare, Frankie, duke kërkuar kujdestari të plotë dhe leje për t’u shpërngulur mbi 30 kilometra larg Scottit, por kërkesa iu refuzua.
Karriera e Scott nisi në vitin 1999 me American Pie, film që i solli famë botërore. Megjithatë, për rolin e tij të parë ai kishte fituar vetëm 8 mijë dollarë (6,900 euro). “Bleva një Thunderbird të përdorur dhe punova në kopshtin zoologjik si shitës churros-ësh. Besoj se më mbetën më pak se 8 mijë dollarë nga ato para,” tha me humor në një intervistë për The Rich Eisen Show.
Në të kundërt, për filmin American Reunion në vitin 2012, Scott dhe kolegu i tij Jason Biggs ishin tashmë yje të konsoliduar, duke fituar nga 5 milionë dollarë (4,312,480 euro) secili. /Telegrafi/









































