LAJMI I FUNDIT:

AKP publikon raportet për shfrytëzuesit e aseteve të pa shitura

AKP publikon raportet për shfrytëzuesit e aseteve të pa shitura

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në vazhdën e publikimeve të informatave për procesin e zhvilluar të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, publikoi sot gjashtë raporte të azhurnuara me informata për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që aktualisht shfrytëzohen nga palë të ndryshme.

“Publikimet e sotme paraqesin: Raportet përmbledhëse të aseteve të pa shitura e aktualisht të shfrytëzuara pa kontratë të qirasë; Raportet përmbledhëse dhe detajet e aseteve të pa shitura aktualisht të uzurpuara; Raportet përmbledhëse dhe detajet e aseteve të pa shitura aktualisht të shfrytëzuara nga palët që kanë shprehur interesim për kontratë me qira; Raportet përmbledhëse dhe detajet e aseteve të pa shitura aktualisht të shfrytëzuara nga rastet sociale; Raportet përmbledhëse dhe detajet e aseteve të pa shitura e aktualisht të shfrytëzuara nga ndërmarrjet publike; dhe Raportet përmbledhëse dhe detajet e aseteve të pa shitura e aktualisht të shfrytëzuara nga institucionet vendore”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

AKP në bazë të “Udhëzuesit për lirimin e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH)”, nuk i konsideron Institucionet Vendore dhe Ndërkombëtare si uzurpatorë t ë pronave shoqërore, por do të vazhdoj të diskutoj me institucionet qendrore përkatëse për të përcaktuar nivelin e qirasë të cilën duhet paguar për shfrytëzimin e pronave të Ndërmarrjeve Shoqërore.


“Uzurpatorë konsiderohen ato palë të treta të cilat i shfrytëzojnë këto prona paligjshëm për qëllime komerciale dhe të cilët nuk e pranojnë autoritetin administrativ të AKP-së të paraparë në nenin 5 të ligjit të AKP-së për administrimin e pronave shoqërore”, thuhet në komunikatë.

Sipas AKP-së listat e publikuara do të azhurnohen periodikisht, ndërkaq ftohen palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyrat rajonale të Agjencisë. Agjencia do të korrigjoj ndonjë lëshim eventual me rastin e publikimit periodik të këtyre listave. /Telegrafi/