Barcelona duhet ta marrë mbi supe fajin për lëndimin i cili i dha fund gjasave të Frenkie De Jong që të luajë për Holandën në Euro 2024.
Kjo është pikëpamja e përzgjedhësit holandez Roanld Koeman, i cili e udhëhoqi ekipin e tij drejt gjysmëfinales përkundër goditjes së madhe që morën pas lëndimit të De Jong.
De Jong humbi javët e fundit të sezonit 2023/2024, për shkak të një problemi në kyçin e këmbës dhe data e rikthimit ende nuk dihet.
Ai iu bashkua ekipit të Koeman para nisjes së garës, por në fund u detyrua që të tërhiqej pasi nuk u shërua nga ai lëndim.
Koeman më herët kishte kritikuar blaugranasit për presionin e madh që vënë tek lojtarët e tyre si pjesë e një kalendari të ngjeshur.
Ish-trajneri i Barcelonës ka ritheksuar qëndrimin e tij dhe ka pranuar se është i shqetësuar se kur do të rikthehet De Jong për klubin dhe kombëtaren, me operimin që tashmë është një opsion.
“Ai është i shqetësuar për lëndimin e tij. Para fillimit të Euro-s, ne menduam se ai nuk do të luante në ndeshjen e parë, por shpresuam që do të luante pastaj, në fund nuk doli ashtu”, ka thënë Koeman.
“Ai ka një lëndim serioz dhe ne duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Shpresoj se ai do të rikuperohet shpejtë, por ai nuk është i gatshëm të luajë ende”, përfundoi ai.
De Jong do të mbetet në Spanjë teksa Barcelona do të udhëtojë në Amerikë për turneun parasezonal, por që nuk pritet të jetë i gatshëm për startin e La Ligas në muajin gusht./Telegrafi/