Ahmeti: Të braktiset politika e instalimit të një perceptimi të gabuar tek maqedonasit për shqiptarët

I ftoj udhëheqësit politikë maqedonas nga i gjithë spektri politik që të heqin dorë nga politika e instalimit të një perceptimi të gabuar tek maqedonasit për shqiptarët dhe bashkëjetesën. Të demonstrojnë lidership, të avokojnë për barazi dhe zbatimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, dhe të ndjekin rrugën evropiane së bashku. Kjo u tha sot nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në urimin e tij për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
"Të dashur maqedonas, asnjë maqedonas, e lëre më vendi ynë, nuk është në rrezik nga barazia me shqiptarët. Shqiptarët duan një shtet unitar, të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Çdo gjë tjetër që dëgjoni vazhdimisht nga elita politike maqedonase është e pavërtetë", tha ai.
Ai theksoi disa data gjatë historisë së vendit kur shqiptarët u përjashtuan nga procese të caktuara, por edhe kur, siç tha ai, u përhap vazhdimisht një gënjeshtër se e keqja në vend vjen nga shqiptarët.
"Kushtetuta e vitit 1974 u ndryshua në mënyrë të njëanshme në vitin 1989, duke i privuar shqiptarët nga shtetësia, dhe ky moment përfaqëson një pikë kthese në vend. Pastaj, në vitin 1991, shqiptarët u përjashtuan përsëri dhe nuk ishin pjesë e procesit të pavarësisë së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia, as nuk ishin aksionarë në ndërtimin e shtetit të ri. Kështu, u hartua një kushtetutë diskriminuese që promovonte superioritetin etnik të shumicës mbi shqiptarët dhe komunitetet e tyre", thuhet në mesazhin e urimit të Ahmetit.
Sipas tij, këto politika të gabuara morën fund në vitin 2001, kur shqiptarët dhe maqedonasit u bashkuan për të rindërtuar Maqedoninë, të barabartë dhe euroatlantike, përmes zbatimit të Marrëveshjes së Paqes së Ohrit, të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
“Kushtetuta e re, me të gjitha pengesat politike gjatë viteve, ishte baza për barazi, etnike, gjuhësore, kulturore, arsimore, me respekt për simbolet kombëtare dhe me shpërndarjen e përgjegjësive shoqërore. Kjo mënyrë e re e të menduarit, e bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe barazisë, zbatoi Marrëveshjen e Ohrit, e bashkoi vendin në NATO dhe filloi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shtoi Ahmeti.
Megjithatë, Ahmeti thekson se sot po dëshmojmë jo vetëm një kthim në të njëjtën narrativë, por edhe në veprime të përditshme që dëmtojnë bashkëjetesën dhe Marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, barazinë dhe arritjet e përbashkëta deri më sot./Telegrafi/

















































