Përzgjedhesi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka folur në konferencë për shtyp për portierin e ri të ofruar së fundmi nga Dardanët, Amir Saipin e Luganos.
Foda ka publikuar para disa ditësh listën e Kosovës për dy ndeshjet e muajit tetor kundër Lituanisë dhe Qipros, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në listën e Fodas janë rikthyer tre lojtarët e suspenduar së fundmi, Edon Zhegrova, Arijanet Muric dhe Florent Muslija, teksa ka pasur edhe prurje të reja.
Njëra nga më të mëdhatë padyshim se është ajo e portierit 24-vjeçar të Luganos, Amir Saipi, i cili në të kaluarën ka mbrojtur me ekipet e moshave të Zvicrës.
Për ardhjen e Saipit dhe zgjedhjen e parë në portën e Dardanëve ka folur sot (e hënë) përzgjedhësi Foda.
“Tani kemi tre portierë në dispozicion. Amir Saipin e kam vrojtuar me kujdes në ndeshjet e tij në Lugano dhe jam shumë i lumtur që ai ka vendosur të përfaqësojë Kosovën”.
“Duke parë paraqitjet e tij kemi parë se ka cilësi të mëdha dhe është shumë i sigurt gjatë lojës. Padyshim ai do ta mbështesë shumë mirë ekipin tonë”.
“E se kush do të jetë në portë do ta vendosim pas stërvitjeve”, përfundoi përzgjedhësi i Kosovës. /Telegrafi/