Adriatik Kelmendi, për herë të parë për 12 vjet pati një mysafir pa trohë etike

Gazetari dhe moderatori i emisionit “Rubikon” të KTV-së, Adriatik Kelmendi, ka thënë se tash e 12 vjet, nuk ka pas, si sot, mysafir pa etik. Këto komente ai ka bërë në profilin e tij në Facebook, pas emisionit të sotëm ku u debatua për situatën në Turqi, pas dështimit të grusht shtetit të së premtes. Ndërkaq, aludimi bëhet për kryetarin e partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, i cili nuk përfill bashkëbiseduesit e as udhëheqësin e emisionit, edhe atëherë kur i ndalet mikrofoni.“Tash e 12 vjet kam pasur mysafirë të ndryshëm në Rubikon - duke filluar nga personalitete që kanë fituar Çmimin Nobel e deri të individë që kanë përfunduar prapa grilave për vepra kriminale. Për 12 vjet, duke dashur të ruaj etikën profesionale, asnjëherë nuk kam komentuar mysafirët e emisionit për paraqitjen e tyre në emision. Por, edhe për 12 vjet, asnjëherë nuk kam pasur një individ që nuk ka shfaqur asnjë trohë etike për të ftuarit e tjerë dhe për shikuesit, aq sa më detyroi t’ia tregoj derën. Për herë të parë në 12 vjet, një individ më detyroi që publikisht t’i them: Mos bëni përpjekje të na manipuloni, na respektoni siç po ju respektojmë edhe ne ju, përndryshe nëse nuk ju pëlqen - derën e keni prapa. Fare s’besoj që kam gabuar. Do ta bëja sërish me secilin që sillet në mënyrë të njëjtë!”, ka shkruar Adriatik Kelmendi. /Telegrafi/







































