Adhuruesit e ndërruesit manual duhet ta harrojnë Ferrarin e ri, nga Maranello kanë një mesazh për ta

Ferrari po e braktis nddërruesin manual - për adhuruesit e ndërrimit manual të shpejtësive, ka vetëm një zgjidhje.
Ferrari ofroi për herë të fundit një ndërrues manual në vitin 2012 në modelin California, dhe edhe atëherë u prodhuan vetëm disa njësi.
Drejtori teknik i kompanisë tha në vitin 2016 se asnjë ndërrues manual nuk mund të krahasohet me performancën e ndërruesit automatik, transmeton Telegrafi.
Pavarësisht kësaj, entuziastët nuk po ndalen së kërkuari kthimin e ndërruesit klasik "manual".
Drejtori komercial i Ferrarit, Enrico Galliera, dha një përgjigje të shkurtër për pyetjen nëse ndërruesi manual do të kthehet:
"Ne tashmë e kemi - në modelet tona klasike", shtoi ai.
Këshilla e tij? "Blini dhe restauroni një nga klasikët tanë".
Ferrari madje ofron trajnime për drejtimin e klasikëve me ndërrues manual përmes programeve si "Corsa Piloti", sepse shumë njerëz as nuk dinë t'i përdorin më.
Megjithatë, ka ende një shkëndijë shprese – një ndërrues manual mund të shfaqet në një nga modelet ekskluzive të serisë Icona, siç janë Monza SP1/SP2 ose Daytona SP3, por vetëm nëse ka kërkesë të mjaftueshme nga koleksionistët e gatshëm të paguajnë shuma marramendëse.
Për momentin, ndërruesi manual te Ferrari mbetet një relikte e së kaluarës – dhe ndoshta një investim i rrallë i së ardhmes. /Telegrafi/



















































