Abdixhiku reagon pas deklaratës së Osmanit për buxhetin - zbulon prapaskenat e diskutimeve dhe planin që kishte propozuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sot pas deklarimeve të djeshme të presidentes Vjosa Osmani, e cila ka bërë përgjegjëse ish-opozitën për mosmbajtjen e një seance ku do të votoheshin zgjatja e buxhetit për disa muaj përfshirë edhe buxhetin për Prishtinë, Gjilanin, Zubin Potokun, pagat për RTK-në dhe pakoja për Planin e Rritjes.
Ai ka treguar edhe diskutimet rreth nominimit të Glauk Konjufcës dhe krizës politike që pasoi, duke bërë të qartë rolin e tij në përpjekjet për një zgjidhje kompromisi.
Sipas Abdixhikut, ai kishte propozuar një paketë të quajtur edhe “Pako e Presidentes”, e cila përfshinte zgjatjen e buxhetit për tre muaj, votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, sigurimin e pagave për RTK-në dhe votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
Ai thotë se propozimi ishte mirëpritur nga Presidentja dhe komunikimi me mandatarin Glauk Konjufca kishte qenë pozitiv.
“Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
Por, sipas tij, 15 ditë pas propozimit nuk pati asnjë lëvizje.
“15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”, ka theksuar tutje ai.
Abdixhiku thekson se propozimi i tij u injorua edhe gjatë diskutimeve mbi caktimin e zgjedhjeve dhe se fakti është i regjistruar zyrtarisht.
“Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht. Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 ditë pa asnjë nevojë”
Ai gjithashtu shprehet se kriza politike është një inskenim dhe bllokada ka qenë e qëllimshme.
“Bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës”, ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/










































