Abdixhiku: LDK, pas orës 12:00 pret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se LDK pret shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës pas mesnatës, pas dështimit për të gjetur konsensus për zgjedhjen e presidentit.
“Me keqardhje më lejoni të theksoj që Kuvendi i Kosovës dhe partitë parlamentare nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin e domosdoshëm për presidentin e unitetit të popullit të Kosovës".
"LDK ka bërë përpjekje për marrëveshje politike dhe për të arritur një konsensus të gjerë. Fatkeqësisht, ky konsensus ka kërkuar mbi 80 vota, që nuk u siguruan. Kosova po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor. Në orën 00:00 të mesnatës, LDK mirëpret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit”, tha Abdixhiku para gazetarëve.
Ai shtoi se LDK ka vepruar me vetëdije të lartë shtetërore dhe kombëtare, duke ofruar alternativa dhe zgjidhje për të gjitha partitë politike, por gatishmëria e tyre nuk është përputhur me ambiciet e palëve të tjera.
“Seanca e tanishme është e monopartiake, me dy kandidatë nga një parti. Konsensusi dhe uniteti nuk arrihen kështu. Për president nevojiten dy të tretat e votave të Kuvendit”, theksoi ai.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur partitë politike nuk kanë arritur të bien dakord për një kandidat të përbashkët, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./Telegrafi.




















































