Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një nga ditët më të rëndësishme të historisë së re kombëtare dhe aktin themelor të shtetësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Abdixhiku theksoi guximin dhe vendosmërinë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 7 shtator 1990, të cilët në kushte okupimi dhe represioni nga regjimi serb, shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, tashmë e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.


“Është dita kur deputetët e Kosovës, me guxim dhe vendosmëri, shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, aktin themelor të shtetësisë sonë,” tha Abdixhiku.

Ai kujtoi se ky akt u bë në kohën kur dhuna dhe padrejtësia synonin të shuanin çdo ëndërr lirie, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, si lëvizja më e madhe demokratike e kohës, ngriti themelet e institucioneve të para të shtetit.

“Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte vetëm një akt juridik. Ajo ishte akt i madh rezistence dhe sfidë e hapur ndaj pushtimit,” u shpreh kreu i LDK-së.

Abdixhiku citoi edhe Presidentin historik Ibrahim Rugova, duke rikujtuar deklaratën e tij se 7 shtatori ishte “dita e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut”.

Ai u përul me respekt para deputetëve të asaj kohe, si dhe të gjithë atyre që punuan për realizimin e ëndrrës për liri dhe pavarësi.

“Kushtetuta e Kaçanikut mbetet testament i gjallë i rrugëtimit tonë, frymëzim i përhershëm për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe për ta zhvilluar e forcuar demokracinë,” përfundoi Abdixhiku./Telegrafi/