LAJMI I FUNDIT:

AAK tashti duhet të sqarohet me ata që manipuluan votat përbrenda listës së saj

AAK-ja më 12 dhjetor doli të jetë “lule carnivorous” (lule mishngrënëse). Pra ato lule nga jashtë shumë të bukura me ngjyra të ndryshme të theksuara, të cilat i atraktojnë bletët për nektar. Por në momentin kur të iu afrohet bleta ato i gëlltisin brenda dhe i ngrënë. Kështu bëri edhe “AAK-ja me kuadrot dhe përforcimet e reja”.

Tani pasi që “përfundoi” saga e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, është koha që partitë politike të merren me pasojat që këto zgjedhje ua krijuan atyre përbrenda. Në këtë kontekst, pasi që unë, me 11 nëntor, iu bashkova listës zgjedhore të AAK-së, do të ndalesha me këtë subjekt.


Siç e pata shpjeguar kur iu bashkova listës zgjedhore të AAK-së, ishin disa arsye që më bënë që t’i bashkohem këtij subjekti, përkundër shumë ofertave “të majme” që i pata nga subjektet tjera. Kryesorja ishte respekti që kam për Ramush Haradinajn (natyrisht edhe për familjen e tij për atë që bënë gjatë luftës) dhe bindja ime se zgjedhjet u kurdisën për 12 dhjetor edhe për faktin që të shfrytëzohet mosprezenca e tij. Arsye tjetër, po ashtu e rëndësishme pse vendosa t’i bashkohem listës së AAK-së, ishte edhe premtimi i AAK-së për reforma. Premtim të cilin pa ndërprerje udhëheqësit e AAK-së e përsëritnin. Sikurse që edhe fakti se gjatë kohës sa isha deputet i opozitës, qëndrimet të paktën në aspektin vizual i kishim të përafërta.

Mirëpo çka ndodhi me 12 dhjetor?! Slogani “për të mirën e vendit” apo deklaratat që u dhanë me bujë si bie fjala “AAK-ja gati për kuadro të reja dhe përforcime” ose “AAK-ja reformon dhe konsolidon degët” etj, dolën të jenë jo të qëndrueshme. Realisht, AAK-ja më 12 dhjetor doli të jetë “lule carnivorous” (lule mishngrënëse). Pra ato lule nga jashtë shumë të bukura me ngjyra të ndryshme të theksuara, të cilat i atraktojnë bletët për nektar. Por në momentin kur t’iu afrohet bleta ato i gëlltisin brenda dhe i ngrënë. Kështu bëri edhe “AAK-ja me kuadrot dhe përforcimet e reja”. Pra, deklarimet e AAK-së dolën të jenë farsë. Jo që iu manipuluan (për të mos thënë vjedhur) votat “përforcimeve dhe kuadrove të reja”, por iu manipuluan votat edhe bashkëpartiakëve tjerë të cilët e themeluan AAK-në apo atyre që janë një kohë të gjatë në parti. Disa prej të cilëve edhe publikisht dolën, e shumë prej tyre heshtën për momentin për arsye të ndryshme.

Tashmë të gjithë e dimë se në të gjitha partitë votat i manipuluan komisionerët. Ngjashëm ishte edhe në AAK, pra komisionerët pjesa dërmuese e të cilëve u zgjodhën nga kryetarët e degëve dhe disa nga udhëheqësit tjerë të institucioneve partiake. Kjo d.m.th se në këto manipulime (apo vjedhje industriale siç u cilësuan nga disa) morën pjesë figura të rëndësishme partiake si bie fjala Ahmet Isufi i cili është edhe nënkryetar partie edhe kryetar i degës së Gjilanit. Kjo kuptohet nëse analizohen votat e kandidatëve nëpër komuna, ku edhe mund të merret vesh se cili kryetar dege ishte i lidhur me cilin kryetar dege në këmbimin apo tregtinë e votave. Pra, shihet se kryetarët e degëve të Anamoravës (Gollakut) dhe Karadakut ishin lidhur mes veti, sikurse që ishin lidhur edhe kryetarët e degëve të Dukagjinit mes veti, e kështu me radhë. U mor vesh për përfitime të veta.

Por, shtrohet pyetja se a ka më keq sesa të manipulohet abuzohet apo keqpërdoret (për të mos thënë vjedhur) shoku, kolegu apo bashkëpartiaku? Sigurisht se jo! Aq më tepër kur të kihet parasysh se u manipulua gjëja me e shenjtë e demokracisë dhe shtetëformimit. Sepse, siç dihet institucionet (shteti) në demokraci krijohen nga vota e lirë e qytetarit. Dhe, po ashtu tashti shtrohet pyetja tjetër logjike se a mund të jesh edhe patriot edhe manipulues i votës? Sigurisht se jo! Ata që e kanë manipuluar votën e qytetarit, qofshin ata që ua manipuluan partive tjera, e për më tepër ata që e manipuluan votën brenda partive të veta, mund t’i quajmë gjithçka, por jo patriotë! Dhe pa marrë parasysh se kush janë ata, çfarë të kaluar patën!

Prandaj, subjektet kryesore të cilat garuan me 12 dhjetor duhen të merren shumë seriozisht me këtë çështje sa delikate aq më shumë esenciale për ardhmërinë e Kosovës dhe natyrisht për ardhmërinë e partive politike. Sepse me thënë të drejtën unë nuk po shohë sesi munden bashkëpartiakët të abuzojnë njëri-tjetrin, e pastaj të dalin bashkë për të mbrojtur një parim politik. Kjo mua më duket hipokrizi!