A po i përgatit arsimi të rinjtë për jetën? Qirezi flet për Edutask

Në podcastin “Rrugëtimi”, Bardha Qirezi foli për angazhimin e saj në organizatën Edutask, një iniciativë që synon të sjellë një qasje më praktike dhe më të qëndrueshme në sistemin arsimor në Kosovë.
Ajo shpjegoi se Edutask ka lindur si rezultat i përvojës së saj shumëvjeçare në arsim dhe nga nevoja për të adresuar boshllëqet që ekzistojnë mes teorisë dhe praktikës.
“Edutask ka ardhë si një nevojë që me i adresu disa prej sfidave që i kemi pa gjatë viteve në arsim, sidomos në lidhje me mënyrën se si mësohet dhe si përgatiten të rinjtë për jetën”, u shpreh Qirezi.
Sipas saj, një nga problemet kryesore në sistemin arsimor është fakti që nxënësit shpesh pajisen me njohuri teorike, por jo domosdoshmërisht me aftësi të zbatueshme në praktikë.
“Ne kemi tentu me kriju një qasje ku mësimi nuk është vetëm informativ, por është i aplikueshëm dhe i dobishëm për jetën reale të nxënësve”, theksoi ajo.
Qirezi shtoi se përmes Edutask synohet të krijohen modele të reja të të mësuarit, të cilat i ndihmojnë të rinjtë të zhvillojnë aftësi praktike dhe të përgatiten më mirë për tregun e punës dhe sfidat e jetës.
“Qëllimi është që të rinjtë mos me dalë vetëm me njohuri teorike, por me aftësi që i ndihmojnë me u përshtatë dhe me ecë përpara në jetë dhe karrierë”, tha ajo.
Në këtë kontekst, ajo theksoi se përveç njohurive, një rol të rëndësishëm luajnë edhe vlerat që ndërtohen gjatë procesit edukativ.
Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e familjes në këtë proces, duke theksuar se edukimi fillon shumë më herët sesa në shkollë.
“Unë jam rritë në një familje ku arsimi ka qenë gjithçka dhe kjo ka ndiku shumë në mënyrën se si e kam pa edhe jetën”, tha ajo.
Sipas saj, bashkëpunimi mes familjes, shkollës dhe iniciativave si Edutask është thelbësor për të krijuar një sistem arsimor më funksional dhe më të dobishëm për të rinjtë.
Ky model, sipas Qirezit, synon një transformim gradual të edukimit në Kosovë, duke e zhvendosur fokusin nga teoria drejt praktikës dhe nga nota drejt zhvillimit real të individit. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com



















































