A është vërtet i mundur shtrëngimi preventiv i lëkurës?

Përgjigjja qëndron te kombinimi i kujdesit në shtëpi dhe trajtimeve profesionale që ruajnë kolagjenin
Shtrëngimi preventiv i lëkurës është i mundur përmes kujdesit të duhur në shtëpi, të pasur me përbërës që stimulojnë kolagjenin, në kombinim me trajtime profesionale që ruajnë qëndrueshmërinë dhe elasticitetin e lëkurës.
Shtrëngimi i lëkurës tashmë të varur shpesh duket si një mision i pamundur, por lajmi i mirë është se zgjidhje ekzistojnë, nga kujdesi në shtëpi deri te trajtimet në ordinancë. Megjithatë, çelësi i suksesit qëndron te parandalimi. Në vend që të prisni derisa lëkura të humbasë ndjeshëm tonusin, është më e mençur të fokusoheni në mbështetjen e kolagjenit dhe elastinës ndërsa ajo është ende e fortë.
Pse lëkura humb qëndrueshmërinë?
Varja e lëkurës ndodh sepse niveli i kolagjenit dhe elastinës, proteinave përgjegjëse për strukturën e lëkurës, bie natyrshëm me kalimin e viteve. Faktorët e jashtëm, veçanërisht rrezatimi UV, e përshpejtojnë ndjeshëm këtë proces. Zgjidhja qëndron në kombinimin e një stili jetese të shëndetshëm (gjumë i mjaftueshëm, hidratim) dhe përbërësve kozmetikë të synuar, transmeton Telegrafi.

Kujdesi në shtëpi
Për të ruajtur qëndrueshmërinë e lëkurës dhe për ta mbajtur atë të shëndetshme, duhet të filloni nga rutina juaj e kujdesit për lëkurën. Është e rëndësishme që produktet që përdorni të përmbajnë formula dhe përbërës specifikë që ndikojnë drejtpërdrejt në parandalim.
Retinoidët janë standardi i artë i kujdesit kundër plakjes. Ata stimulojnë prodhimin e kolagjenit dhe përmirësojnë teksturën e lëkurës. Filloni gradualisht për të shmangur irritimet.
Më pas vijnë antioksidantët (vitamina C, E, niacinamidi), të cilët veprojnë si mburojë për kolagjenin. Ata neutralizojnë radikalet e lira dhe parandalojnë plakjen e parakohshme.
Peptidet janë të rëndësishme sepse dërgojnë sinjale te lëkura për t’u rinovuar, duke mbështetur drejtpërdrejt strukturën e saj.
Hapi më i rëndësishëm është, pa dyshim, kremi me faktor mbrojtës nga dielli. Pa mbrojtje nga rrezet e diellit, të gjitha trajtimet e tjera humbin kuptimin, sepse rrezet UV e shpërbëjnë pa mëshirë kolagjenin.
Trajtimet profesionale
Kujdesi në shtëpi është i domosdoshëm dhe përbën një bazë të sigurt. Megjithatë, për disa persona ai nuk është gjithmonë i mjaftueshëm. Pikërisht atëherë hyjnë në lojë procedurat dhe trajtimet që rigjenerojnë lëkurën në thellësi.
Në radhë të parë është mikroneedling-u, një trajtim me gjilpëra shumë të imta që stimulojnë lëkurën të prodhojë kolagjen të ri.
Më pas janë trajtimet me laser, të cilat përdorin nxehtësinë për të shkaktuar “rimodelim” të kontrolluar të lëkurës, duke e bërë atë më të lëmuar dhe më elastike.
Në fund, ekzistojnë edhe pilingët kimikë, të cilët përshpejtojnë rinovimin e qelizave dhe e nxisin lëkurën drejt vetë-rigjenerimit dhe prodhimit të kolagjenit. /Telegrafi/



















































