Filmi i regjisores peruane Claudia Llosa, "La Teta Asustada"

Kompliment për jurinë. Ajo mori vërtet një vendim të drejtë dhe të mençur. Në të kaluarën s'ka qenë gjithmonë kështu. Por anëtarët e jurisë së drejtuar nga aktorja britanike Tilda Swinton dëshmuan masë. Nderimi me Arium e artë i filmit peruan "Qumështi i vuajtjes" vazhdon traditën e vendimeve të mëparshme, vlerësimin e zbulimeve filmike nga vende pa ndonjë emër të madh në kinematografi. Dhe kjo jo se filmat e nderuar me çmime kanë qenë kush e di se sa ekzotikë, por edhe sepse ofron edhe formalisht diçka. Edhe filmi "Qumështi i vuajtjes" tregon një histori, e cila për sytë e perëndimorëve duket e huaj, me detaje bizare përpara një kulise ekzotike. Por me filmin e saj regjisorja Claudia Llosa dëshmoi edhe aftësitë e saj formale, guximin për një rrjedhë të ngadalshme të filmin dhe një vështrim të përpiktë të njerëzve.
Të ngjashme ishin edhe vlerësimet me çmimin "Ariu i argjendtë". Për regjinë më të mirë u nderua iraniani Asghar Farhadi. Si aktori më i mirë në rol kryesor u shpall Sotigui Kouyate, i lindur në Mali, për muzikën më të mirë u nderuan dy sound-designern nga Hungaria, dhe me “Çmimin e madh të Jurisë” u nderua regjisori argjentinas Adrian Biniez. Në qendër të Berlinales nuk ishin pra vende me industri të zhvilluar kinematografike, edhe pse disa filma gjermanë dhe amerikanë u nderuan gjithashtu me çmime, por vende që zakonisht e kanë të vështirë në botën e kinematografisë.
Përse ndodh kjo? Natyrisht edhe sepse në këto vende prodhohen më pak filma , sepse ka më pak mjete financiare në dispozicion dhe se ka pak shoqëri filmografike që merren me këto vende. Por edhe sepse kinemaja si asnjë lloj tjetër arti u bindet mekanizmave të tregut se sundohet prej strukturave komerciale.
Pikërisht për këtë një festival i tillë filmi si Berlinalja është kaq i rëndësishëm. Madje më i rëndësishëm se ai i Kanës dhe i Venecias, sepse pikërisht Festivali i Berlinit e hedh në kuptimin e vërtetë të fjalës vështrimin në të gjitha rajonet e botës duke ofruar për këtë edhe publik.
Berlinalja është çdo vit një vitrinë botërore, e cila të fton për udhëtime në rrafshnaltat e Perusë, në Detin Kaspik apo në lagje krejt normale të një megametropoli si Buenos-Aires. Me gjithë përpjekjet e suksesshme të organizatorëve për të ftuar në këtë festival sa më tepër starë Hollywood-i, ky festival i dedikohet më tepër artit të kinematografisë dhe vendeve të ndryshme. Në Berlinale prezantohen pranë njëri-tjetrit si një film peruan me aktorë krejt të panjohur dhe amatorë, ashtu edhe një film me Michelle Pfeiffer dhe Demi Moore.
Po ashtu edhe „kinemaja politike“ për të cilën u fol aq shumë, nuk përbën esencën e këtij festivali. Filmi "Stuhia" i regjisorit Hans-Christian Schmidts, i cili kishte një subjet politik konkret, krimet e luftës në Ballkan, nuk mori asnjë lloj çmimi në festival!
E megjithatë Tilda Swinton dhe juria dëshmuan me vlerësimet e tyre qartë, se janë pro filmit të angazhuar, duke ofruar një pleduaje për kinemanë e vëzhgimit të përpiktë. Duke mos marrë në konsideratë shumicën e filmave nga
Hollywood-i dhe disa emra të tjerë të mëdhenj nga Evropa dhe Azia juria u dërgoi një lloj mesazhi producentëve: vitin e ardhshëm përzgjidhini më me kujdes dhe angazhoni ata regjisorë që kanë vërtet për të thënë diçka, që ndoshta nuk kanë ndonjë emër të madh, por talent, guxim dhe forcë bindëse. Për këtë dhe përzgjedhjen e mençur të filmave që u nderuan me çmime, juria e sivjetshme meriton gjithashtu një çmim! /dw/






























































