Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burgim Dardan Molliqajn- kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) lidhur me akuzën për sulm ndaj zyrtarit policor në protestën e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës në vitin 2022. Ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarit do t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësja Valbonë Fejza, raporton “Betimi për Drejtësi“.


Fillimisht, Molliqaj u dënua me 6 muaj burgim, por ky dënim me pëlqimin e të akuzuarit do të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

Pala e dëmtuar, Valon Braha, për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.

Meqenëse dënimi i shqiptuar nga Gjykata nuk është i njëjti i propozuar nga Prokuroria në marrëveshje për pranim fajësie, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Në shpallje nuk ishte i pranishëm Molliqaj.