Mesnata e 1 dhe 2 prillit e vitit 1999, ishte e kobshme për qytetin e Gjakovës, pasiqë rreth 60 qytetarë të lagjes së I-rë në këtë qytet u qëlluan, u vranë, u dogjën të gjallë, e u masakruan nga forcat serbe.

Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa tronditi të gjithë banorët e qytetit.


Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur. Shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë.

Njëzetë vetë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për ta sjellë dritën e lirisë.

Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari.