Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka njoftuar se, në bashkëpunim me Njësinë për Antidiskriminim dhe Barazi Gjinore, ka vendosur zyrën mobile të ndihmës juridike në Komunën e Obiliqit.

Zyra do të jetë e hapur çdo ditë pune, nga ora 08:30 deri në 15:00, në Sheshin “Aziz Zhilivoda”, duke filluar nga data 10 dhjetor 2025 deri më 9 janar 2026.


Kjo zyrë mobile do të ofrojë shërbime falas të ndihmës juridike për kategori të caktuara të qytetarëve, përfshirë:

  • personat me asistencë sociale dhe kategori të tjera sociale,
  • pensionistët,
  • personat e papunësuar,
  • familjet me të ardhura nën pagën minimale,
  • nënat vetushqyese,
  • viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore,
  • gazetarët dhe kategori të tjera të përcaktuara sipas mandatit të Agjencisë.

Shërbimet përfshijnë këshilla juridike, informim, asistencë teknike, përgatitje të shkresave dhe përfaqësim në gjykatë, përmes avokatëve të kontraktuar e të financuar nga Agjencia. Ndihma mbulohet në procedura penale, civile, kundërvajtëse, administrative, si dhe në konteste familjare, martesore, të punës, pronësore, pensionale e sociale. /Telegrafi/